Avancimi i Projektligjit për vlerësimin e diskriminimit në Luginë të Preshevës sipas presidentes Osmani dërgon një mesazh për Beogradin: diskriminimi kundër komunitetit shqiptar në Serbi nuk është më i padukshëm dhe nuk do të tolerohet.
“Serbia vazhdimisht ka kryer shkelje autoritare të të drejtave të minoriteteve, përfshirë fushatën e pasivizimit të qëllimshëm për pastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjes së gjuhës shqipe, mospërfshirjen në institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, shkruan presidentja e Koosves në një postim në rrjetin e saj X.
Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar më 21 janar për të dërguar përpara këtë projektligj, që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përgatis një raport gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, veçmas të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Pasivizimi I adresave është një nga problemet më të mëdha të shqiptarëve të Luginës, duke nënkuptuar fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar, humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë dhe janë pakica e katërt më e madhe në këtë shtet.


