Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e sotme dhe ka shqyrtuar kërkesat e Ardian Memës dhe KF Shkodër, që presin të marrin atë që u takon pas gjyqeve me Tiranën dhe Bylisin në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve.
Sigurisht në FSHF fjala transparencë mbetet e huaj. Në asnjë moment nuk ka pasur vendime të DHKZK të bëra publike, ndërkohë që tani Komisioni i Disiplinës u vendos ultimatum dy klubeve, që duhet të shlyejnë detyrimet që kanë brenda 30 ditëve.
- VENDIMET E DISIPLINËS – Pranimin e kërkesës së KF Shkodra. KF Bylis, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 19 datë 30.01.2020, të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të Nenit 62/1/a të KDS i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditëve për të ekzekutuar vendimin.
- Pranimin e kërkesës së kërkuesit Ardian Mema. KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimeve nr.22 datë 07.07.2020 dhe nr. 22/1 datë 08.09.2020, të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 62/1/a të KDS i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditëve për të ekzekutuar vendimet”.
CILAT JANË ÇËSHTJET – Ardian Mema, pas shkarkimit nga Tirana sezonin e shkuar, ka shkuar në gjyq dhe ka kërkuar nga Tirana pagat që i takojnë. Jo zyrtarisht raportohet se bëhet fjalë për shumën e 24 milion lekëve, që Mema pret që kampionët t’ia kalojnë në llogari. Bardheblutë duhet ta shlyejnë, ndryshe rrezikojnë t’u hiqen pikë.
Sa i takon Bylisit, ata kanë një çështje me KF Shkodra për sulmuesin Eridon Qardaku. Akademia shkodrane kërkon taksën e formimit të lojtarit për vitet që e ka pasur në skuadër, në bazë të rregullave. Thuhet se bëhet fjalë për shumën simbolike të 3 milion lekëve. /abcnews.al