Disa vende evropiane shqyrtojnë kthimin tek energjia bërthamore

schedule15:54 - 6 Maj, 2022

schedule 15:54 - 6 Maj, 2022

Evropa po tregon interes të shtuar ndaj energjisë bërthamore, e nxitur kryesisht nga synimet klimatike, por edhe lufta në Ukrainë, sidomos tani kur Bashkimi Evropian po përpiqet për ndërprerjen e të gjitha lidhjeve energjetike me Rusinë. Por, shfrytëzimi i energjisë bërthamore vazhdon të jetë i shtrenjtë, kërkon kohë dhe është shumë i diskutueshëm.

Jo shumë kohë më parë, reaktorët e vjetëruar bërthamore të Francës dukej se po shkonin drejt pensionit.

Presidenti Emmanuel Macron kishte kërkuar mbylljen e mbi 12 nga 56 reaktorët e vendit deri më 2035 dhe reduktimin e ndjeshëm të shfrytëzimit të energjisë bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike.

Por në fillim të vitit, kjo ndryshoi.

“Ajo që i duhet vendit tonë, është rilindja e industrisë bërthamore të Francës”, tha zoti Macron.

Tani, paralelisht me rritjen e shfrytëzimit të energjisë së gjelbër, zoti Macron synon që në dekadat e ardhshme të ndërtojë deri në 14 centrale bërthamore.

Ai nuk është i vetmi. Së fundmi, Belgjika vendosi t’ua zgjasë jetën dy reaktorëve të saj bërthamorë me një dekadë, duke vonuar planet për ndërprerjen e shfrytëzimit të energjië bërthamore.

Polonia dhe Rumania janë të përqëndruara tek reaktorët e vegjël dhe më të përparuar, që janë më të shpejtë dhe më të lirë për t’u ndërtuar.

Britania po planifikon gjithashtu ndërtimin e centraleve të reja – edhe pse ajo do të tërhiqet nga kapacitetet e saj të vjetëruara në vitet e ardhshme.

“Situata aktuale globale e energjisë dhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, kanë shtuar interesin, duke bërë që vendet të rishikojnë planet për t’u larguar nga burimet e jashtme ose të importuara të energjisë”, thotë Brend Wanner nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Në mbarë botën, sipas kësaj agjencie duhet një rritje e dyfishtë e industrisë bërthamore, që ajo të përmbushë kërkesat dhe qëllimet globale për ndryshimet klimatike.

Sidomos Bashkimi Evropian ndodhet nën trysni për gjetjen e alternativave, që lëshojnë më pak karbon, për t’i dhënë fund varësisë ndaj naftës dhe gazit rus.

Franca, prodhuesi më i madh në BE i energjisë bërthamore, udhëhoqi lobimin që energjia bërthamore të futej në listën e burimeve miqësore për klimën në Bruksel.

Energjia bërthamore duhet të shihet si pjesë e një strategjie që do të ndihmonte Evropën të shkojë drejt të ardhmes pa karbon, thotë analisti Wanner.

“Ne kemi nevojë për një grup të gjerë teknologjish me emetim të ulët. Burimet e rinovueshme patjetër që do të udhëheqin përpjekjet. Energjia nga erë dhe ajo diellore tani janë alternativat më të lira për prodhimin e energjisë elektrike”, thotë ai.

Megjithatë, për disa vende, energjia bërthamore nuk është një alternativë. Gjermania, e cila është shumë e varur nga energjia ruse, vazhdon të planifikojë mbylljen e tre centraleve të ngelura bërthamore deri në fund të vitit.

Aktivistët mjedisorë thonë se vende si Franca duhet të bëjnë të njejtën gjë.

“Ka një alternativë ndaj energjisë bërthamore. Prandaj ne duhet të investojmë 100 për qind në enegjinë e e ripërtëritshme. Për ne energjia bërthamore nuk është e sigurt”, thotë aktivisti Zelie Victor.

Që nga aksidenti në Fukushima të Japonisë, para më shumë se një dekade, ekspertët thonë se siguria e industrisë bërthamore është rritur.

Por, është e paqartë nëse reaktorët mund të përballojnë një ofensivë ushtarake si ajo në Ukrainë.

Evropës i duhet energjia tani. Megjithëse kërkojnë më pak kohë, ndërtimi i modeleve të reja kërkon vite.

Gjetja e zgjidhjeve afatgjata për mbetjet bërthamore është një problem tjetër për Evropën.

“Vetëm një vend po ndërton një qendër për mbetjet bërthamore dhe dy të tjera po punojnë në atë drejtim… Por kjo është sfidë e vërtetë”, thotë analisti Wanner.

Me kufizimet aktuale për prodhimin e energjisë diellore dhe asaj nga era, ndërsa opsionet tjera, si ai i hidrogjenit, janë ende në fazë fillestra, energjia bërthamore ka të ngjarë të mbetet pjesë e planeve energjetike të Evropës për vitet, e ndoshta edhe dekadat e ardhshme./VOA