Nga Lindita Murthi
Nga pozicioni i një mësueseje dhe specialisteje që kam pasur fatin të punoj në disa hallka të arsimit shqiptar, me peshën e mbi 40 viteve në arsim, do të doja të shprehja mendimin tim për këtë çështje kaq të diskutuar, pasi ne jemi ata që kemi punuar me të rinjtë dhe kemi përgjegjësi për ta. E shpalos gjykimin dhe tim, pa pasur në mendje asnjë dhe pa dashur të replikoj me askënd.
Detyrimi moral ndaj nxënësve dhe përgjegjshmëria profesionale më nxit që të shpreh gjykimin tim modest për një problem kaq të ndjeshëm dhe madhor për arsimin shqiptar, testi i Maturës Shtetërore 2020.
Edhe mua më ka rënë në dorë nga nxënësit e mi materiali analizues i pyetjeve të testit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë, të cilin e vrojtova me shumë kujdes. Po si e shoh unë, me syrin e një mësueseje, Testin?
Le të marrim disa nga pyetjet:
Pyetja që lidhet me foljen kalimtare.
Është hedhur ideja se ka dy alternativa të sakta. Personalisht, nuk mendoj e ka dy të tilla. Alternativa: Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj, nuk është ai rast që lidhet me praninë e kundrinës së zhdrejtë për të thënë se folja është kalimtare e zhdrejtë. Nëse fjalia lexohet me kujdes, arrin të kuptosh që veprimi i foljes nuk kalon.
Ndërsa, për praninë e trajtës së shkurtër na, mund të themi se këtu kemi të bëjmë me dhanoren etike. Në ibrin e gjuhës shqipe të klasës së 10-të që përdoret në një pjesë të gjimnazeve dhe shkollave profesionale të Republikës, e gjen të pasqyruar këtë koncept, në temën “Burime morfologjike të shprehësisë”. Pra, është diçka e njohur për nxënësit, të cilin e kanë ndeshur edhe në analiza të ndryshme tekstesh.
Në gjykimin tim, kjo pyetje është tipike e atyre që zbatojnë një nga kërkesat bazë të programit lëndor, atë të integrimit të kompetencave të një lënde apo fushe. Në këtë rast integrohen njohuritë/aftësitë e kompetencës së të lexuarit me atë të përdorimit të njohurive gramatikore të gjuhës shqipe.
Në përcaktimin e foljes kalimtare/jokalimtare ne nuk e mësojmë nxënësin të shohë vetëm ka apo nuk ka kundrinor të drejtë/zhdrejtë, por ai duhet ta shohë fjalinë nga ana kuptimore, nëse kalon apo jo veprimi i i kryer nga kryefjala.
Gjithashtu, në rastin konkret, nëse ne do të provojmë ta heqim trajtën e shkurtër na, do të shohim se fjalia nuk dëmtohet nga ana strukturore dhe kuptimore. Një veprim të tillë nuk e bëjmë dot në raste të tjera, të ndryshme nga ky, sepse fjalia nuk qëndron, p.sh.: Ai i dha shokut një libër. Ai (i)dha shokut një libër. Ose: Ai (i) dha (shokut) një libër. (Në të dy rastet fjalia pëson ndryshime kuptimore dhe strukturore ku do na duhej të ndërhynim për ta risjellë në formën e duhur).
Nisur nga këto, gjykoj se alternativa e saktë është vetëm: Gjuha e tij mban erën e shëndoshë të dheut.
Pyetja që lidhet me lidhëzën përmbyllëse.
(Në fjalinë: “Ai nuk është poeti i lartësive etnike, po është shkrimtari i plisit të dheut, prandaj Fan Noli si. përformimin e tij poetik, si për.shprehjen.gjuhësore rri më vete në literaturën shqiptare.”, lidhëza e nënvizuar është…) përmbyllëse
Edhe pas kaq ditësh nuk po shoh ndonjë problem te kjo pyetje.
Nxënësi i mëson lidhëzat dhe marrëdhëniet sintaksore të pjesëve në fjalitë e përbëra që në Arsimin e mesëm të ulët.
Gjithashtu, nxënësi është praktikuar që, nëse nuk i kujtohet se në cilin lloj lidhëzash futet një lidhëz e caktuar, ai mund të përdorë një lidhëz tjetër të grupit që ai mendon se i përket. Nëse pjesët lidhen natyrshëm nga ana sintaksore, atëherë lidhëza i përket atij grupi. Është një mënyrë praktike (teknika e zëvendësimit) që të vjen në ndihmë në kësi situatash. Në këtë fjali mund të përdoren lehtësisht lidhëzat e tjera përmbyllëse, ndaj, andaj. (Nxënësit e mi më thanë se nuk kishin pasur problem me këtë pyetje).
Pyetja që lidhet me funksionin e grupit të paraprirë nga pjesorja.
Funksioni i grupit të fjalëve të parapriranga pjesorja në fjalinë: “Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj: lis i vetmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut” është ai…
Pyetja për funksionin e grupit të paraprirë nga pjesorja ka në thelb konceptin e përcaktorit, të cilin nxënësi fillon ta njohë që në klasën e pestë të ciklit fillor. Po në këtë cikël, nxënësi ka mësuar grupin emëror dhe grupin foljor. Kështu që ai e di se si është i formuar një grup fjalësh që kryen një funksion të caktuar. Në kërkesën e pyetjes thuhet qartë se duhet të përcaktohet funksioni i grupit të paraprirë nga pjesorja.
Dhe dihet që pjesorja i paraprin vetëm grupit me të cilin kryen një funksion në fjali dhe nuk ka pse të jetë pjesë e të gjitha grupeve.
Në këtë fjali, grupi “ngulur mirë” është rasti tipik i përcaktorit me bashkim. Edhe në këtë pyetje nuk shoh ndonjë gjë të veçantë.
Problemi i tekstit apo i pyetjeve me gabime të qëlllimshme.
Doja të sqaroja se në punën tonë të përditshme, për qëllime të caktuara dhe në varësi të asaj se çfarë njohurish dhe aftësish nxënësit do të përfitojnë, ne zhvillojmë ushtrime në të cilat e vëmë nxënësinnë pozitat e një korrigjuesi. Edhe tekstet shkollore kanë ushtrime të tipit: “Ndreq përdorimin e gabuar të….”; “Ndreq gabimet”; “Bëj rregullimet e duhura në…” etj., etj. Madje, në Programin lëndor janë disa njohuri, si p.sh.: ato drejtshkrimore dhe të pikësimit, të cilat mund të maten vetëm me këto lloj ushtrimesh.
Pyetja që lidhet me raportet sintaksore
Pyetja që lidhet me raportet sintaksore të gjymtyrëve të fjalisë duket që mat aftësitë e nxënësve për të krijuar fjali të sakta, duke vlerësuar aftësinë për të përshtatur kryefjalën me kallëzuesin në numër, në vetë (përshtatja e kryefjalës me kallëzuesin fillon të mësohet që në ciklin fillor dhe rimerret në vitet më pas); të përshtatë fjalët brenda një grupi emëror etj. Të gjitha këto njohuri dhe aftësi janë marrë dhe rimarrë disa herë dhe ne mësuesit kemi bërë ushtrime pa fund.
Kërkesa e ushtrimit është e qartë: dotë shikohet vetëm lidhja sintaksore mes gjymtyrëve të fjalisë, ndaj problemi drejtshkrimor i emrit të përveçëm nuk pengon nxënësin në gjetjen e përgjigjes së saktë.
Pyetja që lidhet me emrin e dygjinishëm.
Te pyetja që lidhet me emrin e dygjinishëm (ambigjen) nxënësit i kërkohet ta identifikojëatë, ndaj ai duhet të përqendrohet vetëm tek emri. Kështu që mbiemri “të njohur” nuk e pengon nxënësin në dhënien e përgjigjes. Në punën tonë të përditshme ne u kërkojmë shumë herë nxënësve që të shkruajnë numrin shumës të grupeve emërore, në të cilat fjala bërthamë është emër ambigjen (pallat i lartë- pallate të larta).
Ç’kuptim do të kishte që fjalitë e shkruara qëllimisht gabim në tekst, të shkruheshin saktë te pyetjet?! Aq më tepër kur nuk pengojnë në dhënien e përgjigjes.
Pyetja e Turit
Nuk do të ndihesha e qetë, nëse nuk dotë trajtoja edhe pyetjen me “Turin”. Fillimisht do të merrem me qëllimine kësaj pyetjeje, siç e mendoj unë (nisur nga kërkesa e dhënë). Dukshëm kjo pyetje vlerëson aftësitë e nxënësve për të ndërtuar një tekst sipas një linje logjike (koherence) dhe sipas një stili të caktuar.
Ushtrime praktike të tilla bëhen shumë në shkollë. Fillojnë në ciklin fillor me ushtrime të tipit: Rendit fjalitë dhe ndërto me to një tekst. Në vitet më tej zhvillohen ushtrime të tilla, si:
- Bëj një mbyllje të përshtatshme, duke ruajtur linjën logjike të fragmentit të dhënë.
- Si do ta mbyllje ti tregimin?
- Vazhdo tekstin duke ruajtur koherencën dhe stilin e autorit etj.
Në Arsimin Parauniversitar në lëndën e Gjuhës shqipe koherenca dhe stili zënë një vend tëveçantë në zhvillimin e dy kompetencave, të shkruarit dhe të lexuarit. Madje ka edhe ushtrime në të cilat një teksti i dhënë në një stil të caktuar të rindërtohet në një stil tjetër.
Sigurisht që kjo pyetje realizohet nga ai grup nxënësish që ka punuar në vite për të ndërtuar tekste sipas një linje logjike dhe me një stil të caktuar.
Pyetja me foton
Pyetja kërkonte që nxënësit të gjenin mesazhin që përcillte fotoja. Pyetje të këtij lloji janë nga ushtrimet praktike më të përdorshme në shkollë. Fillojnë që në ciklin fillor, duke e ushtruar nxënësin që të flasë/shkruajë rreth asaj që sheh në një foto, vizatim etj. Në ciklet e tjera nxënësi sheh foto të ndryshme, zbulon detaje, i analizon dhe interpreton ato; ndërton postera vetë apo interpreton posterat e të tjerëve, zbulon mesazhin që përcjellin e kështu me radhë. Ndaj mendoj se nuk është një pyetje “surprizë” për nxënësin.
A lidheshin pyetjet e provimit me Kurrikulën?
Pa hezitim mund të them që pyetjet e provimit lidhen plotësisht me kurrikulën. Kurrikula e sotshme me kompetenca ka një veçori: ajo i merr njohuritë dhe i zhvillon aftësitë, qëndrimet, vlerat ndër vite, derisa të përfitohen kompetencat në fund të klasës së 12-të.
Specifikisht, gjuha shqipe është lënda që zhvillon një nga kompetencat kyç të shkollës sonë, atë të komunikimit. Nxënësi e përfiton kompetencën e komunikimit në arsimin parauniversitar dhe e përdor/zhvillon atë në fusha të ndryshme të jetës: për arsimim, punësim etj. P.sh.: Askush në universitetin e mjekësisë nuk do ta mësojë studentin se si tëlexojë dhe të kuptojë tekstet e kësaj fushe. Tashmë ai konsiderohet se e kapërfituar këtë kompetencë në arsimin parauniversitar.
Theksoj se kompetenca nuk është riprodhim i një teorie apo njohurie, por është zbatim apo përdorim i tyre në kushte, situata, rrethana të ndryshme. Një nxënës mund të thotë përmendsh përkufizimet e kundrinorit, rrethanorit, përcaktorit etj., por, nëse ai nuk di ta përdorë atë në komunikim, me shkrim a me gojë, kjo gjë nuk ka rëndësi. Është njëlloj sikur të dish përmendsh rregullat gjuhësore të një gjuhe të huaj dhe të mos e përdorësh dot këtë gjuhë në jetën e përditshme. A të hyjnë në punë këto njohuri?!
… Dhe kurrikula me kompetenca “nuk ta pranon” fare këtë riprodhim.
Këto ishin disa mendime modeste që doja të ndaja me ata që duan të dëgjojnë zërin e një mësuesi. Mund t’i analizoja të gjitha pyetjet, pasi këtë punë e bëra online me nxënësit e mi, por mendova të mos bëhesha e mërzitshme.
*Ky është titulli i redaksisë. Titulli i autores: “Provimi në sytë e një mësueseje dhe jo vetëm”
**Mendimet në këtë rubrikë nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin e Abcnews.al