Edhe mediat në Greqi kanë pasqyruar dhe komentuar vendimin e ministrisë sonë të brendshme për shpalljen “non grata” të 52 shtetasve greke. Disa të përditshme greke akuzojnë qeverinë shqiptare se vazhdon të stimulojë klimën armiqësore mes dy vendeve edhe pas varrimit të Kostantinos Kacifas.
Një pjesë e shtypit grek ka reaguar me tone agresive ndaj vendimit të ministrit të Brendshëm shqiptar Sandër Lleshi, për të shpallur “non grata” 52 shtetas grekë që u përfshinë në aktet antishqiptare antikushtetuese në Bularat.
Sipas Ta Nea, pala shqiptare në këtë mënyrë po stimulon klimën armiqësore mes dy vendeve. “Pas varrimit të Kostantinos Kacifas, klima e luftës jo vetëm nuk është venitur, por pala shqiptare parapëlqen ta stimulojë me çdo mjet, përsa kohë diplomacia greke vazhdon të notojë në moçal”, ka shkruar e perdistshmja “Ta Nea”. Gazeta helene i ka cilësuar të papranueshme etiketimet që ministri Lleshi u ka bërë veprimeve të shtetasve grekë, si “vulgare dhe të rrezikshme”.
Madje, për “Ta Nea”, aktet ekstremiste nacionaliste greke në fshatin Bularat ishin provokuar që në fillim nga shqiptarët. “Shqiptarët bllokuan hyrjen e mijëra qytetarëve grekë që donin të ndiqnin varrimin e Kacifas, duke kaluar nga justifikimet më absurde tek kërcënimet”, ka shkruar e përditshmja. Në të njëjtën linjë, “Protothema” shkruan se pas arrestimit të 12 shtetasve grekë nga policia e Gjirokastrës, pala shqiptare inskenon tensione të reja me shpalljen “non grata” të 52 shtetasve greke. “Vendimi i ministrit të Brendshëm vjen pas formulës provokuese të kryeministrit Rama, që i cilësoi pjesëmarrësit në varrimin e Kacifas provokatorë”, shkruan “Protothema”. Ndërkohë, e përditshmja tjetër “Kathimerini” ka bërë thjesht një pasqyrim të vendimit të qeverisë, duke theksuar se 52 shtetasit grekë nuk do të lejohen të hyjnë më në Shqipëri. /abcnews.al