“Diplomën ma dhe ti”! Procesverbali, këta janë deputetët që aprovuan Luan Dacin, sot u dënua

schedule23:08 - 1 Dhjetor, 2020

schedule 23:08 - 1 Dhjetor, 2020

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit sot dënoi me 6 muaj për falsifikim anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, i cili burg nuk do të bëjë, pasi masa do të konvertohet në 12 muaj shërbim prove. Ai u dënua për falsifikim, pasi fshehu faktin që ishte shkarkuar me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në 24 dhjetor 1997 si gjyqtar për shkelje të ligjit dhe paaftësi për punë.

Por si arriti Luan Daci që të kalojë të gjitha filtrat e institucioneve në vend dhe cilët ishin deputetët që e aprovuan?

Gjithçka filloi në 2 qershor 2017 kur ai doli përpara komisionit “ad hoc” me 6 anëtarë për përzgjedhjen e kandidatëve për krijimin e institucioneve të rivlerësimit, sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në këtë komision të drejtuar nga Vasilika Hysi ishin pjesë anëtarë, deputetë nga shumica dhe opozita e asaj kohe, PD-LSI. Vasilika Hysi, Eduard Halimi, Flamur Noka, Ervin Bushati, Vangjel Tavo dhe Albana Vokshi ishin pjesë e komisionit të ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Vasilika Hysi në seancë i kërkoi Dacit që të fliste për përvojën e tij në institucionet shtetërore, ndërsa deputeti Ervin Bushati konstatoi se datat e paraqitura nga ai në CV nuk ishin shumë të qarta dhe i kërkoi sqarime.

E ndërsa i tha se ishte ajo që i dha diplomën, Vasilika Hysi e pyet Luan Dacin se në “vitin 1997 nga gjykata e Tiranës, jeni larguar, keni ikur apo ju kanë hequr?” Ndërsa Daci përgjigjet duke thënë se “Unë kam ikur me dorëheqje” ndryshe nga e vërteta, që ishte shkarkuar nga KLD-ja e asokohe.

Po opozita cfarë mendonte? Flamur Noka kishte vetëm një kërkesë? “Po munde, riplotësoje dhe ribëje CV-në, dorëzoje, sepse nuk e ke të plotë. Vetëm kaq” tha ai dhe këtu u mbyll seanca duke e kaluar Luan Dacin, që arriti të ngrihet në shkallën më të lartë të vlerësimit, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të Vettingut.

Diskutimi i plotë në Komisionin e Kuvendit

Vasilika Hysi: Përshëndetje, zoti Luan!

Mirë se erdhët! Ju keni kandiduar për të gjitha pozicionet. Ne kemi para CV-në dhe dosjen tuaj të plotë, të përcjellë nga Avokati i Popullit. Jeni para komisionit, i cili do të bëjë vlerësimin dhe votimin tuaj për të qenë në listën e kandidatëve që i propozohet seancës plenare për anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Do të donim diçka më shumë lidhur me plotësimin e kritereve profesionale dhe radhë të dytë të pjesës së meritës, atë çka kërkon neni 6 i ligjit, paragrafi 2, titujt shkencorë, përvoja e posaçme, vjetërsia, përvoja studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar, kërkimi shkencor dhe të tjera. Faleminderit!

Luan Daci – Faleminderit, zonja kryetare!

Të nderuar anëtarë,

E ndiej veten të vlerësuar që thirrem nga komisioni parlamentar i ngritur posaçërisht për kryerjen e vetingut, të reformës gjyqësore pas gjithë këtij angazhimi politik nga parlamenti shqiptar. Për t’ia shpjeguar qartësisht komisionit dhe për t’i bërë të qartë edhe motivet se pse unë kam aplikuar për të marrë pjesë në këto organe të vetingut, i deklaroj komisionit të nderuar se duke parë gjithë këtë angazhim, gjithë këtë shqetësim, njëkohësisht edhe të institucioneve ndërkombëtare në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të popullit te ky sistem, unë mendoj se i plotësoj kriteret si kuadër që kam qenë, por edhe si avokat për arsye se, së pari, kam mbaruar gjimnazin e Tepelenës me mesatare 9,4.

Kam mbaruar Fakultetin e Drejtësisë me mesataren 8,4, kam mbaruar masterin shkencor në Fakultetin e Tiranës me mesatare 8,7 në të drejtën kushtetuese dhe në procesin e rregullt ligjor, pra në Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun. Mendoj se rezultatet e  51 kam pozitive, po kështu kam një angazhim që nga viti 2000 deri në ditët e sotme në sistemin e drejtësisë nëpërmjet aplikimit të funksionit të avokatit. Jam treguar shumë korrekt, zonja kryetare, si me palët, ashtu edhe me sistemin e drejtësisë, si me gjyqtarët dhe prokurorët. Unë e vlerësoj edhe figurën morale, megjithëse ju i keni të gjitha organet kompetente ku mund t’i vlerësoni. Jam familjar, kam 2 fëmijë, jetoj në Tiranë, kam një apartament 1 dhomë dhe 1 kuzhinë. Kam pasur plot mundësi që të punoja si në administratë, edhe në drejtësi.

Ju premtoj juve të nderuar, anëtarë të komisionit parlamentar, që duke parë gjithë këtë angazhim politik dhe moral të popullit shqiptar, të parlamentit shqiptar, si dhe të institucioneve ndërkombëtare, ju garantoj se në qoftë se do më vlerësoni pozitivisht, duke menduar se i plotësoj kriteret, duke qenë një kuadër tepër korrekt para shtetit shqiptar për të garantuar pikërisht qëllimin e këtij ligji. Pra, në cilindo që ju do të më vlerësoni, unë do t’ju nderoj duke i zbardhur faqen si vetes, ashtu edhe juve.

Vasilika Hysi – Faleminderit, zoti Daci!

A ka pyetje? Po.

Ervin Bushati – Kam dy pyetje. E para, pyetja që ua bëjmë të gjithë kandidatëve, a keni ju lidhje me politikën?

Luan Daci – Jo.

Ervin Bushati – Datat këtu nuk janë shumë të qarta, a mund të na thoni shkurtimisht nga cili vit në cilin vit keni punuar, në çfarë pozicioni, gjithmonë avokat, por nga cili vit?

Luan Daci – Kam punuar avokat, zoti anëtar i nderuar i komisionit, që nga data 20.03.2000 kur kam marrë licencën e avokatit me autorizim të ministrit, zotit Ilir Panda, i cili më ka bërë edhe karakteristikën dhe për motive të aftësive të mia profesionale…Madje, zoti Panda më ka përjashtuar edhe nga provimi, duke vlerësuar aftësitë e mia morale, aftësitë profesionale, figurën time dhe më ka akorduar. Kam marrë licencën e avokatisë, ushtroj…

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Urdhëro?

Ervin Bushati – Para kësaj date?

Luan Daci – Përpara kësaj date, para vitit 2000?

Ervin Bushati – Po.

Luan Daci – Kam punuar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Ervin Bushati – Nuk janë datat këtu, prandaj.

Luan Daci – Janë në CV

Vasilika Hysi – Jo.

Luan Daci – Na është kërkuar vetëm vjetërsia. Kam marrë vërtetimet dhe duhet të jenë edhe aty.

Vasilika Hysi – Zoti Daci, ju jeni diplomuar në vitin 1993.

Luan Daci – Në vitin 1994 dhe ju keni qenë anëtare e komisionit.

Vasilika Hysi – E di që kam qenë anëtare e komisionit, por CV-ja juaj, ndryshe nga ato që po thoni, ka disa…, prandaj po ju pyesim. Ju e keni shkruar CV-në, nuk e kemi bërë ne dhe keni shkruar që jeni diplomuar në vitin 1993 me mesatare 8,24. Pyetja ime është: Sa vjet keni punuar si gjyqtar dhe pse jeni larguar nga sistemi gjyqësor dhe keni kaluar avokat? Dhe për rekorde, kur keni filluar?

Luan Daci– Zonja kryetare, kam filluar në shtator të vitit 1993, fillimisht kam qenë si ndihmës gjyqtar, kur kemi dhënë diplomën para komisionit shtetëror, dy ditë pas dhënie së diplomës unë jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, madje jam emëruar edhe nënkryetar në Gjykatën e Tiranës dhe vendi për arsye ekonomike është suprimuar, nuk e di, kanë ndjekur një model tjetër, nuk kam pasur ndonjë problem, dhe deri më 24 dhjetor të vitit 1997 unë kam qenë gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ashtu sikurse po del një ligj për vetingun, atëherë doli një ligj për riorganizimin e sistemit të drejtësisë. Çfarë kemi kontestuar ne si shoqatë e gjyqtarëve?

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Zonja kryetare, të nderuar anëtarë, ne donim atë që na garantonte ligji, që ne të regjistroheshim në Shkollën e Magjistraturës, sepse e kishim kursin të plotë, por të ishte edhe i përshpejtuar. Atëherë, nuk u zbatua nga qeveria e kohës ai urdhër ligjor i Shkollës së Magjistraturës, ku ne, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët duhet të regjistroheshim në Shkollën e Magjistraturës, zonja kryetare. Pra e keni ligjin. Ne e kontestuam këtë ligj thjesht për këtë pikë, pra kërkuam të regjistroheshim në Shkollën e Magjistraturës, ashtu sikurse ky lig tani, me shumë objektivitet, për gjyqtarë të caktuar dhe prokurorë, të cilët mund t’i vlerësojë Komisioni i Vetingut, supozojmë 50% të paaftë ose pa arsimim të plotë, i jep të drejtën dhe ju

ia keni dhënë këtë të drejtë të regjistrohen në Shkollën e Magjistraturës me pagë 75%, por ne e kishim ligjin më të angazhuar në favorin tonë. Çfarë ndodhi? Nuk na regjistronin në Shkollën e Magjistraturës. Ne organizuam një protestë jashtë ambienteve të gjykatës, pavarësisht se është shkruar në ambientet e gjykatës, jo, ne nuk e kemi bërë në ambientet e gjykatës, sepse e njihnim ligjin shumë mirë dhe as kemi penguar punën e gjykatës, as kemi krijuar problem me palët dhe as me shtetin.

Vasilika Hysi – Në vitin 1997 jeni larguar, keni ikur apo ju kanë hequr?

Luan Daci – Unë kam ikur me dorëheqje, sepse nuk na lejuan të regjistroheshim.

Vasilika Hysi – Nga viti 1997-2000 me çfarë jeni marrë?

Luan Daci – Më ndonjë punë çfarë të kisha mundësi.

Vasilika Hysi – Dakord.

Luan Daci – Pastaj iu futa avokatisë, sepse duhet të angazhohesha.

Vasilika Hysi – Dakord, sepse në CV kishte një vakum.

Luan Daci – Doja t’u angazhohesha në administratë ose me ndonjë rrugë jashtë shtetit. Jashtë shtetit nuk kisha mundësi të shkoja dhe në vitin 2000 kam marrë licencën e avokatisë, të cilën ma ka dhënë direkt ministri, duke më vlerësuar.

Flamur Noka – Kam një kërkesë. Po munde, riplotësoje dhe ribëje CV-në, dorëzoje, sepse nuk e ke të plotë. Vetëm kaq.

Faleminderit! Nuk kemi pyetje të tjera.

Vasilika Hysi – Faleminderit, zoti Daci!

db/Abcnews.al