Nga Alex Kassidiaris, Inside Arabia
Gjatë dekadave të fundit Turqia ka investuar shumë në industrinë e saj të mbrojtjes. Në fakt, arritja e një shkalle të lartë të vetë-mjaftueshmërisë në armatime dhe teknologji në sektorin e mbrojtjes, ka qenë një nga objektivat kryesorë strategjikë për qeverinë turke nën qeverisjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe presidentit Reçep Tayyip Erdogan.
Nën-Sekretariati për Industritë e Mbrojtjes (SSM), ka qenë dega zyrtare që është marrë me zhvillimin taktik të infrastrukturës turke të mbrojtjes. Edhe pse ky institucion u krijua që në vitin 1985, ai nuk u përdor realisht deri në fillim të viteve 2000 – AKP e formoi qeverinë e saj të parë në vitin 2002 – kur SSM nisi që të konsolidonte vizionin e saj strategjik, duke luajtur një rol jetik në të gjithë sektorët e mbrojtjes dhe ekonomisë turke.
Në vitin 2018, SSM u riemërtua si Presidenca e Industrive të Mbrojtjes (SSB), dhe u zhvendos nën kontrollin e drejtpërdrejtë të presidentit turk, duke theksuar rëndësinë e kësaj organizate për Erdogan.
Plani Strategjik i Materializuar:Vetë-mjaftueshmëria dhe eksportet në fushën e mbrojtjes
Në një farë mase, qëllimi i vetë-mjaftueshmërisë në fushën e mbrojtjes është arritur në të tre degët e Forcave të Armatosura turke. Diapazoni i gjerë i Transportuesve të Blinduar të Personelit Otokar (APC), sistemet e raketave BORA/KHAN (Roketsan) dhe automjetet e blinduara BMC Kipri, janë disa shembuj që tregojnë zgjerimin e pajisjeve të ndërtuara nga Turqia për forcat e saj tokësore.
Aftësitë gjithnjë e në rritje të mjeteve ajrore turke (UAV), nënvizojnë perspektivat e mira të industrisë së saj të mbrojtjes. Projekti Kombëtar i Anijeve Milgelm, nënvizon planet strategjike për prodhimin e brendshëm të sistemeve të mbrojtjes, duke u zgjeruar Marinën Turke, ndërsa helikopterët T129 ATAK dhe GÖKEY –që të dy të zhvilluar nga Industritë Hapësinore Turke (TUSAS) – zbulojnë më tej sesi Ankaraja ka investuar shumë për pasjen e një autonomie në prodhimin e produkteve të tilla.
Ndërkohë, teksa ka punuar drejt arritjes së vetë-mjaftueshmërisë në këtë fushë, Turqia ka synuar të shtojë edhe vëllimin e eksporteve të saj po në këtë sektor. Eksportet turke të mbrojtjes janë rritur me afro 650 për qind midis viteve 2005 dhe 2019.
Ulja e nivelit të eksporteve vitin e kaluar i atribuohet krizës së Covid-19, por nuk ka
ndikuar në mënyrë thelbësore në tendencën e përgjithshëm. Shumica dërrmuese e këtyre e armatimeve deri vonë nuk janë eksportuar drejt vendeve të NATO-s apo BE-së.
Azerbajxhani dhe Katari kanë qenë ndër klientët tradicionalë të sistemeve turke të armatimeve. Edhe pse kohët e fundit Ankaraja ka synuar të zgjerojë shitjet në vendet e tjera aziatike dhe afrikane, që shtrihen nga Tunizia dhe Kenia, në Pakistan, Malajzi dhe Filipine.
Përparësitë e teknologjisë së dronëve turq
Në të tria konfliktet ku Turqia është përfshirë ushtarakisht kohët e fundit, sistemet e saj të dronëve të ndërtuara brenda vendit, kanë luajtur një rol vendimtar mbi rezultatet në terren. Sidomos në Libi dhe Nagorno-Karabak, dronët turq kanë ndryshuar rrënjësisht situatën në terren në favor të palës që ka mbështetur Turqia.
Zhvillimet në këto konflikte kohët e fundit, kanë vënë në dukje rolin e mjeteve ajrore turke pa pilot (UAV), si një nga opsionet më të suksesshme dhe me kosto efektive, me pikë referimi dronin e tipit“Bayraktar Tb2”, që renditet i pari sa i përket aftësive dhe reputacionit që gëzojnë aktualisht dronët turq.
“Bayraktar Tb2” prodhohet nga “Baykar”, kompania kryesore turke në këtë fushë. Dhëndri i presidentit Erdogan, Selcuk Bayraktar, mban postin e kryeshefit të teknologjisë në këtë kompani, dhe ka qenë një nga figurat kryesore në kërkimin dhe zhvillimin e programeve të dronëve.
Gjatë vitit 2020, “Baykar” gjeneroi 360 milionë dollarë fitime, nga eksportet e sistemeve të armatosura UAV. Në fundin e muajit maj, gjatë vizitës së tij në Ankara, ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Błaszczak, nënshkroi me homologun e tij turk një marrëveshje për blerjen e 24 dronëve “Bayraktar TB2”, me vlerë 270 milion dollarë amerikanë.
Diplomacia turke e dronëve
Por përveç fitimeve financiare, Turqia ka edhe shumë përfitime të tjera të rëndësishme. Marrëveshja me Poloninë, mund të cilësohet si marrëveshja e parë e rëndësishme e industrisë turke të mbrojtjes me një vend të NATO-s dhe BE-së, si në aspektin financiar ashtu edhe atë operacional.
Natyra unike e marrëveshjes me Poloninë, tregon se Ankaraja është e gatshme të zgjerojë eksportet dhe ndikimin e saj në një treg të ri, gjë që do të ketë pasoja serioze politike dhe strategjike. Në këtë kontekst, vizita e fundit e zëvendëskryeministrit letonez dhe Ministrit të Mbrojtjes Artis Pabriks në Turqi në fillim të qershorit, mund të interpretohet si një shenjë shtesë, që konfirmon zgjerimin e eksporteve turke në këtë fushë.
Sipas burimeve të pakonfirmuara nga kompania “Baykar”, vende si Hungaria, Bjellorusia, Bullgaria dhe Republika Çeke mund të ndjekin shembullin e Polonisë duke blerë së shpejti dronët“Bayraktar TB2”. Kjo do ta zgjeronte ndikimin e Turqisë.
Nga Polonia në Ukrainë:Ndikimet gjeopolitike të eksporteve të mbrojtjes
Koha e marrëveshjes së lartpërmendur midis Turqisë dhe Polonisë dhe marrëveshjeve të mundshme të ngjashme në të ardhmen e afërt, nuk është e rastësishme. Turqia ka qenë nën një presion të madh nga SHBA-ja për shkak të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Në këtë kuptim, presidenti turk Reçep Tayyip Erdogan po synon që të konsolidojë pozitën rajonale të Turqisë, përmes rritjes së fuqisë përkundrejt aleatëve kryesorë të NATO-s. Me prioritetet e SHBA-së në Lindjen e Mesme që janë të kufizuara ndjeshëm nën presidentin Joe Biden krahasuar me vitet 2000, dhe me perceptimin në Uashington të Rusisë si një kërcënim i përhershëm, Erdogan po synon që ta adaptojë strategjinë turke në përputhje me rrethanat.
Shfaqja e Turqisë si një lojtare e konsiderueshme rajonale, që mund të funksionojë me homologun e saj turk si një ekuilibër ndaj Moskës, bart sigurisht më shumë perspektiva strategjike, sesa roli aktual i një baze të thjeshtë ushtarake dhe logjistike lokale.
Ankaraja i shiti Ukrainë një numër dromësh “Bayraktar TB2”, përmes një partneriteti të krijuar që në vitin 2019. Ndërsa Keivi po përpiqet të anëtarësohet në BE dhe NATO, Turqia po kërkon të përfitojë nga mundësia aktuale. Tatarët e Krimesë, një pakicë myslimane me origjinë etnike turke,të cilët thuhet se po shtypen nën regjimin aktual të kontrolluar nga Rusia në Gadishullin e Krimesë, kanë tërhequr vëmendjen e Turqisë.
Duke rritur aftësitë mbrojtëse të Ukrainës në luftën e saj për të rimarrë Krimenë, Ankaraja mund të cilësohet si një fuqi dashamirëse e një popullate të shtypur lokale me rrënjë të përbashkëta. Eksporti i teknologjisë së dronëve turq ndaj vendeve që përbëjnë një zonë me rëndësi unike strategjike për Moskën – Polonia, vendet baltike, Ukraina dhe ndoshta Bjellorusia – do ti jepte Ankarasë një avantazh të konsiderueshëm për çdo negociatë me SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s.
Shënim: Alex Kassidiaris është këshilltar ndërkombëtar mbi sigurinë. Ai është diplomuar në Departamentin e Studimeve të Luftës të Kolegjin Mbretëror të Londrës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al