Dinamo e Zagrebit pritet të ketë një buxhet të jashtëzakonshëm pas kualifikimit për në Champions. Skuadra kroate arriti një sukses të madh, dy vjet pasi u eliminua nga Skënderbeu.
Dy vjet më parë, nuk ia dolën përballë një skuadre shqiptare. Dinamo e Zagrebit u eliminua në plej ofin e Ligës së Europës nga Skënderbeu i Ilir Dajës, por ndërsa ai ekip korçar sot është një e kaluar, kroatët janë rikthyer.
Eliminim i Rozenborgut dhe kualifikim në fazën e grupeve në Champions, madje me një buxhet të jashtëzakonshëm. Klubi ka qenë gjithnjë një pasanik i Ballkanit, por një “vogëlush” apo “adoleshent” në kontinent.
Gjithsesi, kjo duket se po ndryshon pasi, sipas mediave kroate, buxheti po arrin nivele të pandodhura kurrë më parë. Kualifikimi pas suksesit në plej of, i siguron kampiones së vendit një pozicion financiar tepër të lakmuar.
Media “gol.dnevnik” shkruan se buxheti vjetor këtë herë mund të arrijë në 60-70 milionë euro, për shkak të kualifikimit për në fazën e grupeve të Championsit.
Edhe nëse Dinamo do t’i humbasë të gjitha ndeshjet në grup, fitimet e saj në total mund të arrijnë në 20 milionë euro, ndërsa çdo fitore jep 2.7 milionë euro, e çdo barazim 900.000.
Kualifikimi për në turin e dytë shton edhe 9.5 milionë euro, diçka realiste sipas analistëve në Kroaci.
Kaq i madh bëhet buxheti i Dinamos me pjesëmarrjen në fazën finale të Championsit, saqë klubi i kryeqytetit do të ketë financa dy herë më të fuqishme se të gjithë klubet e tjerë të Ligës së Parë Kroate, të marrë së bashku.
Kjo është hera e shtatë që Dinamo kualifikohet për në fazën e grupeve, duke qenë një nga skuadrat tradicionale. Rozenborgu ishte pengesë e fortë, për të kaltrit e kaluan me sukses pas fitores 2-0 të ndeshjes së parë në stadiumin “Maksimir”, dhe barazimit 1-1 në Norvegji, në ndeshjen e kthimit.
Në radhët e Dinamos është edhe futbollisti shqiptar nga Maqedonia, Arijan Ademi, që madje mban shiritin e kapitenit./ABC News Albania 24/7