Nga Pierre Haski “Internazionale“
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Muajt e ardhshëm do të jenë veçanërisht të vështirë. Lufta në Ukrainë do të hyjë në një periudhë kritike, 6 muaj pas fillimit të pushtimit rus, dhe në një kohë kur nuk duket në horizont fundi i luftimeve. Gjashtë muajt e fundit, nuk e kanë lejuar ushtrinë e Vladimir Putinit të arrijë fitoren e dëshiruar, dhe as ukrainasit të dëbojnë pushtuesin përtej kufijve, pavarësisht mobilizimit të jashtëzakonshëm dhe dërgimit të armëve gjithnjë e më të sofistikuara nga Perëndimi.
Faza e re e konfliktit do të zhvillohet në 3 nivele të dallueshme, por dukshëm të lidhura mes tyre:atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Siç e dimë, lufta nuk është kurrë një çështje vetëm ushtarake. Konflikti na përket edhe neve që jetojmë në anën tjetër të Evropës, edhe sepse vala e tij goditëse është planetare.
Pas dështimeve fillestare në rajonin e Kievit – bazuar tek një seri përgjimesh, Ëashington Post zbuloi se Moska kishte në plan të pushtonte kryeqytetin dhe do të instalonte brenda disa vitesh një qeveri-kukull – ushtria ruse ka arritur disa suksese në Mariupol, në bregun e Detit Azov, si dhe në një pjesë të rajonit të Donbasit.
Rusët mbështeten tek një fuqi artilerie shumë më e madhe se ajo e ukrainasve, por në këtë periudhë të fundit të verës ata po e ngadalësojnë përparimin e tyre. Nga ana tjetër ushtria ukrainase, po i shumëfishon operacionet “sabotuese” përmes sulmeve specifike kundër depove të armëve dhe pikave logjistike jetike, madje edhe në Krime (dhe kjo është një risi), një territor i pushtuar që nga viti 2014 nga Rusia, dhe ku është e ankoruar flota ruse e Detit të Zi.
Kanë mbetur edhe pak javë para rikthimit të dimrit, një periudhë kohore nga e cilan do të përpiqen të përfitojnë të dyja ushtritë. Ushtria ukrainase, po përgatit një kundërofensivë të madhe, në përpjekje për të rimarrë qytetin e Kherson në jug të vendit. Nëse ia del, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për Rusinë.
Situata ushtarake në terren, tregon se momenti i negociatave nuk ka mbërritur ende:as për Putinin, që me gjithë përparimin e ushtrisë së tij nuk ka arritur suksesin vendimtar, që do t’i lejonte të negocionte nga pozita të forta; dhe as për ukrainasit, të cilët sot do të detyroheshin të bënin lëshime territoriale, të cilat popullsia nuk është gati t’i pranojë pas gjithë sakrificave që ka bërë deri më sot.
Secila nga të dyja palët është e bindur se koha është në anën e tyre. Ukraina sepse po merr nga armë të reja çdo muaj (kryesisht nga Shtetet e Bashkuara), të cilat beson se mund të bëjnë diferencën në fushën e betejës, dhe Rusia pasi mund të mbështetet tek epërsia numerike, dhe tek fakti që Putini nuk është në gjendje të bëjë një hap prapa.
Por këto nuk janë të vetmet parametra të konfliktit. Lufta zhvillohet edhe në nivelin diplomatik. Në këtë kuptim, një ngjarje vendimtare do të jetë samiti i G20 i planifikuar për në mesin e nëntorit në Bali të Indonezisë. Udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës, Putin dhe Xi Jinping, kanë njoftuar se do të marrin pjesë në të.
Nëse konfirmohet kjo gjë, dhe nëse perëndimorët – amerikanët, evropianët, japonezët, australianët – do të jenë gjithashtu të pranishëm, ky samit do të shënojë përballjen e parë midis tyre në një tryezë që pas fillimit të luftës në Ukrainë. Në Bali do të jenë gjithashtu edhe liderë të vendeve të mëdha në zhvillim si India, Afrika e Jugut, Brazili dhe Arabia Saudite, pozicioni i të cilëve është thelbësor për ekuilibrin e sotëm global.
Në funksion të samiti të nëntorit, dy “frontet” globale – ai i Perëndimit, i rindërtuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe ai i rivalëve të rendit aktual ndërkombëtar, i mishëruar nga Rusia dhe Kina – do të shumëfishojnë përpjekjet e tyre për të marrë mbështetjen e vendeve në zhvillim.
Paradoksalisht, perëndimorët e nisin këtë garë në disavantazh, sepse besojnë se përfaqësojnë ligjshmërinë ndërkombëtare në kontekstin e luftës në Ukrainë. Të tjerët i akuzojnë për përdorimin e standardeve të dyfishta:të mobilizuar në mbështetje të Ukrainës, teksa mbetën kryesisht pasivë kur Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun në vitin 2003.
Po ashtu perëndimorët, akuzohen se mbyllin sytë ndaj gjendjes së vështirë të palestinezëve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite dhe vendet e tjera aleate. Ky ndryshim në perceptim është sidomos i fortë në Afrikë, ku ish-fuqitë koloniale si Franca tallen nga të rinjtë sa herë që ajo tund flamurin e demokracisë dhe ligjit kundër Rusisë.
Së fundi, lufta në Ukrainë zhvillohet në nivelin e opinionit publik, si në Rusi ashtu edhe brenda Bashkimit Evropian. Me një pyetje themelore:Kush do të lëshojë i pari? A do të jetë Rusia, që po i nënshtrohet sanksioneve të paprecedenta, por që u tregua më rezistente nga sa pritej, dhe e aftë për ta kontrolluar informacionin dhe rrjedhimisht perceptimin e luftës nga popullata e saj?
Apo do të jenë evropianët, që u bënë solidarë me Ukrainën kryesisht në mënyrë spontane, por mbështetja e të cilëve ndaj Kievit do të testohet fort nga kriza energjetike që kërcënon të mbërrijë në dimër? Deklarata e fundit e presidentit francez Emmanuel Macron, që i ftoi francezët të pranojnë “të paguajnë çmimin e lirisë”, e bën shumë të qartë se sa i madh është shqetësimi e Perëndimit me afrimin e dimrit.
Rusia i ka varur shpresat e saj tek lodhja, por pse jo edhe tek revolta e një pjese të opinionit publik perëndimor. Ish-presidenti dhe kryeministri rus Dmitry Medvedev, që është “snajperi” i Putinit në rrjetet sociale, i ka ftuar hapur evropianët të “ndëshkojnë” liderët e tyre, duke thënë me ironi se “dimri do të jetë më i ngrohtë në shoqërinë e Rusisë, sesa në vetminë e një kaloriferi të fikur”.
Prova e parë në këtë aspekt do të jetë në Itali, ku zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 shtatorit, rrezikojnë të shpërblejnë disa parti të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë pranë Putinit. Çdo sukses i forcave politike, që në të kaluarën nuk e kanë fshehur vlerësimin e tyre për shefin e Kremlinit, do të interpretohej në mënyrë të pashmangshme si një sukses për Putinin, edhe pse Rusia nuk është i vetmi kriter zgjedhjeve për votuesit italianë.
Pra, ajo që na pret në vjeshtë dhe dimër do të jetë një luftë në fronte të ndryshme:në atë ushtarak, të ndikimit diplomatik dhe të opinionit publik. Do të jetë një periudhë e ethshme, siç po shihet edhe nga tensionet me Kinën për Tajvanin dhe situata kritike rreth termocentralit bërthamor të Zaporižžja.
Por edhe një periudhë, në të cilën secili nga aktorët e kësaj krize do të kuptojë nëse do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e veta, dhe në cilin moment do të detyrohet të bëjë kompromise. Por për momentin vazhdon përshkallëzimi i situatës. /abcnews.al