“Dikush duhet t’i dalë zot Shqipërisë…”, PD: Protesta e 6 dhjetorit mbron vlerat europiane

schedule18:37 - 19 Nëntor, 2022

schedule 18:37 - 19 Nëntor, 2022

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me protestën e 6 dhjetorit, duke thënë se ajo mbron vlerat europiane dhe nuk është kundër miqve të Shqipërisë.

Në një njoftim për shtyp, PD thotë se protesta është “një thirrje që ata të mbështesin popullin shqiptar në përballjen me një lukuni kleptokratësh me në krye Ramën, që ka vendosur në Shqipëri monizmin e plotë, ka vithisur vendin në fund të tabelave për të drejtat e njeriut, dhe zbatimin e ligjit, katër shkallë nën Vietnamin komunist.”

Më tej, PD shpreh sigurinë se Europa do të jetë me Shqiperinë në të gjitha udhëkryqet e saj.

NJOFTIM PËR SHTYP

Sa qesharake kur dëgjon ‘gugallen e rrugëve të vjedhura’, sipas së cilës Edi Rama paska mbështetur për 10 vjet Berishën dhe familjen e tij.

Apo që fut në një thes dreqin e korrupsionit, që ka në bark, dhe protestën, si e drejtë europiane dhe universale.
Përmes gugalles së tij, që është dhe sekserja e cdo afere të pisët në infrastrukturën e vendit, me cmimet e rrugëve të cilat përafrohen me autostradat që mund të shtroheshin vetëm në Hënë, Rama kërkon të mbulojë me shpifje dhe trillime vjedhjet skandaloze, me kriminelë që sot janë në kërkim nga drejtësia si Zoto, Mërtiri dhe Gugallja.

Për të vjedhur Portin e Durrësit, Rama ka vendosur të përdorë të njëjtën skemë si për inceneratorët, dhe në vend të Zotos, për të fshehur paratë e vjedhura në kompani offshore, ka përzgjedhur ortakun e vëllezërve Karric.
Protesta e 6 dhjetorit, e shqiptarëve të vjedhur, të varfëruar dhe të përzënë nga vendi i tyre, nuk është kundër miqve të Shqipërisë, partnerëve strategjikë, aleatëve natyralë, përkundrazi është për mbrojtjen e vlerave europiane.

Eshtë një thirrje që ata të mbështesin popullin shqiptar në përballjen me një lukuni kleptokratësh me në krye Ramën, që ka vendosur në Shqipëri monizmin e plotë, ka vithisur vendin në fund të tabelave për të drejtat e njeriut, dhe zbatimin e ligjit, katër shkallë nën Vietnamin komunist.

Një thirrje kundër atyre që vjedhin çdo ditë, me banditë në kërkim, shpresën, të ardhmen, pasuritë dhe taksat e shqiptarëve.

Partia Demokratike e thërret popullin në proteste sepse dikush duhet t’i dalë zot Shqipërisë në rrezik.

Ne jemi të sigurtë se Europa, si në të gjitha udhëkryqet tona, do të jetë me Shqiperine dhe popullin e kërcënuar të saj.

Stabiliteti është në interesin tonë, dinjiteti në vlerat tona, dhe të dyja bashkë i ndajmë me Europën dhe na ndajnë nga Putini i vogel dhe veglat e tij.

/abcnews.al