Diktatura dhe ‘shtëpia me gjethe’/ Qindra vizitorë vizitojnë objektin me dëshmi nga ish sigurimi i shtetit

schedule16:09 - 13 Maj, 2024

schedule 16:09 - 13 Maj, 2024

Shtëpia misterioze e mbuluar me gjethe në qendër të Tiranës është ndër më të vizituarat nga turistët e huaj në kryeqytet. Kjo godine që prej vitit 2017 funksionin si muze është dëshmi e periudhës më të errët të historisë së Shqipërisë, atë të regjimit diktatorial që përgjonte çdo gjë për të pasur kontrollin total mbi gjithçka.

Godina u ndërtua në vitin 1931 dhe ka shërbyer si spital obstetrik i mjekut Jani Basho. Pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e komunisteve në pushtet godina ndryshoi komplet funksionin e saj të mëparshëm.

Ajo shërbeu fillimisht si qendër hetuesie dhe vend ku bëheshin tortura. Brenda mureve të shtëpisë janë torturuar në mënyra nga më çnjerëzoret ata që regjimi i konsideronte tradhtarë.
Në vitet 50 ajo nisi të funksiononte si selia e degës tekniko shkencore të sigurimit të shtetit që merrej me përgjimin elektronik, përgjimin e telefonave dhe kontrollin postar.

Shtëpia me gjethe që sot është muzeu kombëtar i sigurimit të shtetit është e ndarë në 31 dhoma. Secila prej tyre tregon me detaje se çfarë bëhej dikur brenda asaj godine.
Drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari na shoqëron në një prej dhomave me të veçanta të muzeut, e cila tregon sesi përgjoheshin shqiptarët dikur edhe brenda mureve të shtëpise së tyre.

“Këtu p.sh në këtë tavëll vendoseshin çimkat, mikrofonë të ndryshëm.”

Për ta bërë më të ndjeshme ate që eshtë përjetuar dikur, disa prej dhomave të shtëpisë së gjetheve janë të pergjuara.

” P.sh ajo që po bisedojmë ne tani dëgjohet tek dhoma 27, turistët që janë atje në këto momente na dëgjojnë.

Një dhomë e veçantë është edhe ajo kushtuar piktorit Edison Gjergo.

“Edison Gjergo ishte një piktor, që idetë e tij apo kundërshtitë i shprehte duke pikturuar. Pikërtisht për këtë ai ishte në përgjim dhe më pas u dënua.”

“Shtëpia me gjethë” është në çdo moment të ditës plot me vizitorë. Të huajt shprehen të impresionuar nga ajo se cfarë shohin.

“Është hera jonë e parë këtu në Shqiperi. Nuk kemi dëgjuar më parë për këtë vend. E zbulum dje, kur erdhëm. Është shumë interesante. Nuk kishim asnjë njohuri për komunizmin në Shqipëri edhe për këtë arsye na duket interesante.

“Jam nga Britania e Madhe. Hera e parë këtu në Shqiperi. Une kam një shok që ka qenë këtu më parë edhe ai ma sugjeroi këtë vend. Është shume interesant. Jam i interesuar për historinë e Bashkimit Sovjetik, edhe çfare ndikimi ka patur në këto vende. Nuk dija shumë për Shqipërinë edhe për këtë arsye vendosa të vijë ta vizitojë vetë.”

Rreth 200 persona vizitojnë çdo ditë “Shtëpinë e Gjetheve”.
“Janë të impresionuar nga ajo që shohim.”

Sistemi i përgjimeve gjatë diktaturës shkaktoi pasoja të rënda në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Ky muze iu kushtohet pikërisht viktimave të regjimit, ku me mijëra e ezekutuan, u dënuan dhe intenuan në kampe për shkak të spiunimeve gjatë regjimit, ku pjesa më e madhe e tyre kryeheshin në këtë godinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!