Më 30 prill nuk do të ketë më sportele dhe shumica e dokumenteve do të merren online.
Ministrja për Standardet dhe Shërbimet Milva Ekonomi e ftuar në “Radarin Informativ”, tha se ky në fillim do të jetë i vështirë, por që do të shmangë korrupsionin.
“Fillimi nuk është i lehtë se është transformim i madh. Por janë marrë masat që kjo gjë të funksionojë. Midis njeriut dhe njeriut s’ka më një kontakt fizik por ka një sistem që shikon kur bën aplikimin dhe kur merr përgjigjen dhe këto gjëra do monitorohen”, tha ajo.
Ekonomi shtoi se tarifat e shërbimeve që kanë qenë me pagesë nuk do të hiqen.
“Varet nga shërbimet, disa do jetë falas e disa me pagesë siç kanë qenë. Në këtë rast po ndryshon forma e dhënies dhe jo tarifa e shërbimit. Autokorrektimi i sistemeve ndodh gjithmonë se ti do shkosh drejt perfeksionit dhe perfeksioni nuk lind në momentin zero. Në këtë autokorrektim unë për shembull them bonusi i bebeve. Nuk shkon te gjendja civile e merr direkt në maternitet”, shtoi ajo.
Nga një majit shumica e dokumenteve do të merren online. Rreth 95 % e sporteleve do të mbyllen për qytetarët. Sportelistët nuk largohen nga puna, por do të plotësojnë dosjet online të qytetarëve. Nëse deri tani për nxjerrjen e një dokumenti duheshin dhe 5 të tjerë, pas 1 majit garantohen nga sistemi.
/abcnews.al