Lewis Hamilton triumfoi në Çmimin e Madh të Portugalisë ditën e diel, sukses që e futi në historinë e Formula 1. Fitorja në pistën e Portimaos ishte e 92-ta në karrierë dhe 35-vjeçari parakaloi një legjendë si Michael Schumacher (91), duke u bërë piloti me më shumë gara të fituara.
Britaniku i Mercedes kryeson kampionatin me 256 pikë (77 pikë më shumë se ndjekësi Valtteri Bottas) dhe është afër shpalljes për herë të shtatë si kampion bote në sportin e shpejtësisë, po aq sa ka edhe gjermani i famshëm.
Bernie Ecclestone feston sot 90-vjetorin e lindjes dhe ka parë shumë pilotë të talentuar e kampionë gjatë jetës së tij. Ish-kapo i Formula 1 ka bërë një krahasim mes Hamilton dhe Schumacher, duke vlerësuar më shumë “ish”-in e Ferrarit.
“Schumacher ishte pak a shumë i vetëm kur pilonte me makinën e tij. Nga ana tjetër, Hamilton ka përreth shumë njerëz që e ndihmojnë për ta menaxhuar sa më mirë makinën e tij, sa i përket presionit të gomave dhe shpejtësisë që duhet mbajtur në kthesat e pistave.
Sigurisht që nuk mund të them asgjë negative në lidhje me Lewis, është e pamundur të thuash që nuk është i aftë. Ai ka një talent të jashtëzakonshëm dhe është një nga 5 pilotët më të mirë të 30 viteve të fundit“, deklaron Ecclestone /abcnews.al