Dialogu me Serbinë, në Kosovë vijnë sot Escobar dhe Lajçak

schedule07:59 - 23 Gusht, 2022

schedule 07:59 - 23 Gusht, 2022

Sot në Prishtinë pritet të arrijë i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga ai i BE-së, Miroslav Lajçak.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar vizitën e Escobar drejt Prishtinës dhe ka thënë se arsyeja e këtij udhëtimi është mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi.

Nga Prishtina, Escobar do të vazhdojë për në Beograd. “Zëvendësndihmës Sekretari Escobar po udhëton në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur dialogun”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi i DASH’it për Reporterin.

Ende nuk është bërë e ditur agjenda, mirëpo Gazeta Express mëson se Escobar tashmë e ka ftuar për darkë pune kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Burimet e Express nga PDK bëjnë të ditur se darka pritet të mbahet pasditen e së martës në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi është i ftuar nga z. Eskobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, bëjnë të ditur burimet nga PDK.

Express mëson se në darkë është ftuar edhe kreu i LDK-së.

Nuk dihet nëse Escobar ka takim me kryeministrin Albin Kurti, por është raportuar se emisarin amerikan do ta takojë gjatë ditës presidentja Vjosa Osmani.

Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq, në Bruksel.

Pas takimit pesëorësh, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se negociatat e asaj dite nuk rezultuan me një marrëveshje, por shpresonte se do të kishte takim tjetër, para 1 shtatorit.

Një shtatori është data, të cilën Qeveria e Kosovës e ka caktuar për hyrje në fuqi të vendimit të saj për targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia dhe lëshimit të një letre hyrje/dalje për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç lëshohet për kosovarët që hyjnë në Serbi./Gazeta Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!