Pandemia, ulen me 70% dhurimet e gjakut: Të rinjtë dhurues, përfitime tek karta studentore

schedule09:30 - 2 Dhjetor, 2020

schedule 09:30 - 2 Dhjetor, 2020

Dhurimet e gjakut janë gjithmonë e më shumë të nevojshme në ditët e sotme, pasi periudha e pandemisë ka ndikuar si te personat dhurues, edhe te pacientët.

Për këtë temë aktuale është diskutuar mëngjesin e sotëm në rubrikën ‘Abc e Shëndetit’ drejtuar nga doktoresha Albana Daka.

Në lidhje direkte me Skype, ka qenë pacienti Ermal Kote, i cili ka ndarë eksperiencën e tij personale.

Sa herë që shkoj te banka e gjakut për transfuzionin ka pasur raste që nuk ka pasur gjak. Kam 33 vite që marr gjak. Unë jam grupi AB pozitiv. Frikën po e ndjen e gjithë bota, jo ne që jemi akoma në situatë më të vështirë. Apeli im për popullin është që duhet të bëjnë sa më shumë dhurime se shpëtojnë sa më shumë jetë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër në studio, mjeku transfuziolog, Endrit Susaj deklaroi: “Duhet ta pranojmë që ne në përgjithësi nuk bëjmë kontrolle periodike te mjeku dhe nuk e dimë nëse jemi të përshtatshme për të dhuruara gjak. Sigurisht që ne përpara bëjmë disa analiza të homoglobinës, ku shohim nëse mund të dhurojnë apo jo. Por në Shqipëri nuk është në kulturë, ka meshkujt që nuk kanë dhuruar asnjëherë në jetë”.

Këshilltarja e Presidentit të Republikës për çështjet sociale, Brunilda Paskali u shpreh se nisma e ndërrmarë nga kreu i shtetit ka nxitur shumë të rinj të dhurojnë gjak.

Presidenti këtë nismë e ka marrë prej më shumë se dy vitesh për dhurimin e gjakut. Një nga pikat tona që Presidenti i Republikës është se ai i ndjek vetë. Dhurimi i fundit është bërë për 28 nëntorin. Jemi munduar vetë ta mbështesim dhe të ftojmë kryesisht të rinj që të ndërgjegjohen. Në mars psh. ishin të rinj që dhuruan dhe duke e parë si të shëndetshëm erdhën sërish në nëntor. I thanë presidentit që do të vijnë. Në momentin që të rinjtë bëhen dhurues të rregullt, atëherë ata i ofrojnë diçka këtij vendi në të ardhmen”.

Ndërsa mjekja Manika Kreka tha se: “Trajtimet kanë ardhur duke u përmirësuar, edhe dhurimet e gjakut janë shtuar. Në maj dëshira për dhurim zbehet, pasi ikin studentët. Sigurisht që edhe në periudhë festash, Krishtlindjesh duhet më shumë ndërgjegjësim. Pasi edhe pacientët kanë nevojë. Këta të fundit janë detyruar në shumë pak raste të kthehen, pasi kjo ka kosto.

Muajt e fundit kemi pasur raste të personave talasemikë të infektuar me Covid, fatmirësisht vajzat janë mirë. Ato punojnë dhe e kishim marrë në vendin e punës, morën mjekimin dhe janë mirë tashmë”. l.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!