Krimi ishte kryefjalë e datës 31 dhjetor 2020, për të vazhduar edhe në ditët e para të vitit 2021. Në programin “Abc e Pasdites” me moderatorin Ermal Peçi u zhvillua një diskutim pikërisht për këtë panoramë gri të jetës në Shqipëri, ku mesa duket ligjet janë kaq të mira në letër, por jo në zbatim. Të paktën kështu është kuptuar nga ajo ç’ka avokatja Enida Bozheku tha live në program.
Ndërsa gazetari Genti Minga nënvizoi se kishte shpresë që me miratimin e ndryshimeve në projektligjin ndaj dhunës në familje, të uleshin rastet e dhunës. Ai foli për vendimin e fundit, atë të dëbimit të dhunuesit nga shtëpia. Avokatja Bozheku menjëherë ndërhyri duke thënë se edhe në ligjin e vjetër parashikoj kjo gjë.
“Ligji është trumbetuar si një risi, në fakt nuk është kështu. Para se hynte kjo klauzolë specifike (nen specifik), ekzistonte në ligjin paraprak. Thjesht nuk donin dhe nuk kishin dëshirë gjykatat tona ta zbatonin. Ta themi të vërtetën”
Në këtë moment Ermali i pyet se ku e shihnin të “dyshimtë” projektligjin e ri. Xhoi Jakaj tha se ka kosto ekonomike shumë të larte dhe se nuk është studiuar mirë. “Ka kosto ekonomike shumë të lartë dhe Nuk është studjuar mirë ky draft i ligjit për shoqërinë shqiptare”, tha ajo.
Ndër të tjera avokatja Bozheku shtoi se me ligjin ka një problem diskriminimi. “Këtu ka një problem diskriminimi, që është gjinor. Kodi jonë parashikon burgim të përjetshëm për burrat, por jo për gratë. Gratë janë në gjendje të kryejnë krime shumë herë më djallëzore apo makabre se burrat. Kjo është për shkak se ligji i konsideron seks të dobët”, tha Bozheku. /abcnews.al