Dhunë ndaj arbitrit në përfundim të ndeshjes së Superligës me Kamzës dhe Laçit. Tifozët vendas e sulmuan pasi dha një penallti për skuadrën mike
Padyshim është ngjarja më e rëndë e sezonit. Arbitri Eldorian Hamiti u godit nga tifozë vendas në fund të ndeshjes, Kamza-Laçi të Superligës, besohet për shkak të penalltisë që dha për miqtë në sekondat e fundit.
Ndërhyrja e forcave private të sigurisë arriti të shmangte dhunën e mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit reagoi me vonesë. Kodi i Disiplinës parashikon humbje të ndeshjes në tavolinë 3-0 dhe dënimin me të paktën 4 ndeshje pa spektatorë nëse tifozët hyjnë në fushë dhe dhunojnë zyrtarët, në këtë rast arbitrin Hamiti.
Goditja e gjyqtarit në Kamzë është ndodhia e fundit e rëndë e këtij edicioni në Superligë. Tifozët sollën probleme që në ndeshjen e parë, Skënderbeu-Partizani në Korçë.
Në gjysmën e dytë të sezonit, tifozë të Kukësit goditën arbitrin me send të fortë në ndeshjen ndaj Laçit. Pastaj, u tentua të goditej gjyqtari anësor nga tifozë të Tiranës, në takimin ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”.
Edhe më serioze shkelja në sfidën Partizani-Flamurtari, ku tifozë vendas kaluan rrethimin e brendshëm të stadiumit dhe sulmuan një zyrtar të Flamurtarit, konkretisht fotografin e ekipit.
Për të gjitha këto raste, rregullorja parashikonte dënime të rënda, por Komisioni i Disiplinës ka vendosur vetëm gjoba, me përjashtim të rastit të parë në ndeshjen Skënderbeu-Partizanit.
Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar kthimin e Policisë së Shtetit në stadium, si kusht për të shmangur dhunën./abcnews.al