Një tjetër ndeshje futbolli degjeneron në dhunë. Kjo ndodhi në derbin e Stambollit, mes Gallatasarajit dhe Fenerbahçes, ndërsa konflikti nuk u shkaktua nga tifozët, por nga vetë futbollistët në fushë.
Pritej që e keqja të vinte nga tribunat, por ndodhi krejt ndryshe. Jo më kot derbi Gallatasaraj-Fenerbahçe cilësohet si ndeshja që përçan Stambollin, dhe këtë herë ishte fusha e lojës që solli konfliktin.
Mjaftoi një festim provokues i futbollistit të Fenerbahçes, Zhailson, pas golit të barazimit 2-2, që gjithçka të dilte jashtë kontrollit. Nervat, që ishin të acaruara në kulm, edhe gjatë lojës, sollën dhunë me t’u mbyllur sfida e Superligës së Turqisë.
Lojtarë të Gallatasarajit dhe pjesëtarë të stafit teknik iu vërsulën Zhailsonit, për ta ndëshkuar fizikisht për talljen që bëri me tifozët e tyre. Pasi u godit të paktën një herë me grusht, mesfushori brazilian vendosi të largohej me vrap, por u ndoq nëpër fushë nga shumica e lojtarëve kundërshtarë.
Natyrisht, futbollistët e Fenerbahçes u vërsulën për të ndihmuar shokët e tyre, dhe konflikti u bë i përgjithshëm. Në përfundi, Zhaildon, Roberto Soldado dhe Badu Ndiaje u përjashtuan nga arbitri me karton të kuq.
Frika më e madhe ishte nga reagimi i dhjetëra mijë tifozëve në stadiumin “Turk Telekom”, por ata nuk u lejuan të hynin në fushë, pasi në ndihmë të rojeve private erdhi policia dhe forca speciale turke.
Gallatasaraj-Fenerbahçe është një nga ndeshjet me rivalitetin më të madh në botë, dhe dhuna mund të shpërthejë edhe për shkaqe fare banale. /abcnews.al