Refugjatët irakianë në kampin al-Hol në verilindje të Sirisë po shprehin shqetësime rreth dhunës në rritje brenda kampit pas vrasjes së një tjetër irakiani gjatë fundjavës, nga militantët e dyshuar të Shtetit Islamik. Kampi strehon dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë familjet e luftëtarëve të huaj të Shtetit Islamik. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zana Omer njofton.
Situata e sigurisë në kampin al-Hol në verilindje të Sirisë po përkeqësohet përsëri. Dhjetëra mijëra refugjatë irakianë dhe sirianë të zhvendosur jetojnë atje, së bashku me mijëra familje të luftëtarëve të huaj të Shtetit Islamik.
Gjatë fundjavës, një refugjat irakian u vra dhe tre të tjerë u plagosën rëndë gjatë një sulmi nga një celulë e dyshuar e Shtetit Islamik. Sulmi e çon në 25 numrin e të vrarëve brenda kampit, që nga mesi i prillit.
Rritja e fundit e dhunës ka shqetësuar shumë refugjatë irakianë në al-Hol.
“Situata jonë po përkeqësohet nga këto vrasje. Po të ktheheshim në Irak dhe të qëndronim në një kamp tjetër refugjatësh, sinqerisht do të ishte më mirë se këtu”, thotë Um Abdullah, një refugjate irakiane.
Sipas autoriteteve kurde të kampit, në al-Hol jetojnë rreth 30,000 refugjatë irakianë.
Në mars, Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara filluan një operacion madhor për të frenuar sulmet e celulave të Shtetit Islamik brenda kampit. Më shumë se 125 operativë të dyshuar të IS-it u arrestuan gjatë fushatës.
Por banorët e kampit thonë se javët e fundit ka pasur një rritje të dhunës.
“Vrasja është bërë një dukuri e përditshme këtu. Pothuajse çdo ditë ata vrasin një ose dy njerëz në kamp”, thotë Rakan Mohammed, një refugjat irakian.
Zyrtarët e kampit thonë se sulmuesit përdorin thika dhe armë me silenciator kur vënë në shënjestër viktimat e tyre. Shumica e sulmeve kanë ndodhur gjatë natës, kur prania e forcave të sigurisë është e ulët.
“Mezi presim të zbardhi dita, sepse natën nuk i dihet kurrë se kush mund të hyjë në tendën tënde”, thotë Abu Ahmet, refugjat irakian.
Një zyrtar në kampin al-Hol i tha Zërit të Amerikës se të paktën 93 familje – gjithsej 380 persona – janë riatdhesuar nga kampi al-Hol që nga maji. Mes tyre edhe 19 shqiptarë. Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara, më shumë se 62,000 njerëz jetojnë ende në al-Hol, përfshirë rreth 40,000 fëmijë. /VOA/