Dhuna në Bregun Perëndimor, Britania sanksionon grupet ekstremiste izraelitë

schedule14:53 - 3 Maj, 2024

schedule 14:53 - 3 Maj, 2024

Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj grupeve ekstremiste dhe katër individëve në Izrael, të cilët i fajësoi për dhunën në Bregun Perëndimor, paketa e saj e fundit e masave kundër kolonëve izraelitë.

Zyra e Jashtme Britanike tha se kishte sanksionuar Hilltop Youth dhe Lehava, të cilët njihen si dy grupe që kishin mbështetur, nxitur dhe promovuar dhunën kundër komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor.

Katër individët e sanksionuar ishin përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj këtyre komuniteteve, thuhet në deklaratë.

Midis tyre janë Noam Federman, i cili ka trajnuar grupet e kolonëve për të kryer dhunë dhe Elisha Yered, i cili ka justifikuar vrasjen e palestinezëve për arsye fetare.

Dhuna në Bregun Perëndimor ishte tashmë në rritje përpara sulmit të Izraelit në Gaza, por është përshkallëzuar që atëherë, me sulmet e shtuara ushtarake izraelite.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, tha se kolonët ekstremistë po minonin sigurinë dhe stabilitetin dhe po kërcënonin perspektivat për paqe.

“Autoritetet izraelite duhet të dqnojnë ata që janë përgjegjës. Mbretëria e Bashkuar nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme, duke përfshirë sanksionet e mëtejshme”, tha ai.

Të sanksionuarit do t’i nënshtrohen kufizimeve financiare dhe të udhëtimit. Britania e Madhe vendosi më parë sanksione ndaj katër shtetasve izraelitë në shkurt.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!