Me sloganin “nis në rrjet, përfundon në jetë” u çel fushata sensibilizuese e 16 ditëve të aktivizimit për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave”, në vend. Për herë të parë në qendër të vëmendjes këtë vit është kërcënimi në rritje i dhunës përmes internetit dhe platformave online. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, 41% e vajzave dhe grave të moshës mbi 18-24 vjeç, në vend kanë përjetuar të paktën një nga format e dhunës së ushtruar përmes teknologjisë.
Në aktivitetin e çeljes së fushatës Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, si dhe përfaqësuesit e OKB-së në Shqipëri, theksin e vendosën në forcimin e roleve institucional në parandalimin e dhunës online te gratë dhe vajzat, duke nënvizuar ndryshimet në Kodin e ri penal.
OKB thonë se dhuna me bazë gjinore në internet ose jashtë tij mbetet një nga sfidat më urgjente të Shqipërisë në fushën e drejtave të njeriut. Më shumë se një ndër dy gra dhe vajza në vend kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës gjatë jetës së tyre. Në periudhën nga 2021 deri në 2024, 27 gra janë vrarë nga partneri intim ose nga një anëtar i familjes.
Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, 2,881 gra kanë raportuar dhunë, ndërsa mbi 3,650 gra kanë kërkuar ndihmë nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.
Fushata ‘16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’ deri në 10 dhjetori ditës së të drejtave të njeriut, do të sjellë në të gjithë vendin aktivitete edukative, në sensibilizim kundër dhunës./abcnews.al

