Dhuna mes banorëve dhe firmës në Bënçë, goditet edhe Auron Tare: Konflikti i hershëm, shkak ndotja

schedule19:30 - 18 Qershor, 2021

schedule 19:30 - 18 Qershor, 2021

Këtë të premte  eksperti i Trashëgimisë Auron Tare dhe banorët e Bënçës në Tepelenë janë përplasur fizikisht dhe dhunuar nga përfaqësuesit e kompanisë “Eral” që ka ngritur një kantier ndërtimi në këtë zonë.

Tare në një intervistë të dhënë për Radarin Informativ në ABC ka dhënë detaje në lidhje me këtë incident duke theksuar se kjo ka ardhur si pasojë e konflikteve të mëhershme që vetë banorët e zonës kanë pasur me firmën që po ndërton rrugën Lekdushk-Kurvelesh.

Sipas tij konflikti ka nisur për shkak se banorët në këtë zonë pretendojnë se kantieri i ndërtimit ka shkaktuar shumë probleme për mjedisin dhe sipas tyre ndërtimi i një guroreje do e thellonte këtë problematike.

“Por konflikti që ka lindur me banorët atje, unë kam qenë i ftuar për një dëgjesë publike me banorët dhe për të kuptuar se aty do të ndërtohej një gurore. Para se të fillonte mbledhja ne ishim në rrugë dhe po u thoja banorët që të gjendej një marrëveshje e përbashkët. Situata ishte shumë e qetë.

Firma ka vite që është aty dhe sot dëgjesa ishte për hapjen e një guroreje për marrjen e inerteve se kantieri i ndërtimit ka dy vite që është hapur. Mesa kam kuptuar unë banorët kanë kohë që kanë konflikt me këtë firmë, ndaj dhe doja që të dëgjohej zëri i tyre ndaj unë isha për të dhënë mendim dhe për të dëgjuar pasi unë merrem me atë zonë.

Kjo është një zonë që ka perspektivë turistike dhe hapja e gurores do të dëmtonte kanionet, por mesa kuptova e pash se konflikti i banorëve me firmën ishte i hershëm. Nuk di shumë detaje, por banorët ankoheshin për ndotjen e ujit, për marrjen e ujit, pasi ato kanë dhe kullota dhe asfalti që është bërë ka ndotur ambientin dhe nëse sipas tyre do të ndërtohet dhe një gurore do të dëmtohej shumë mjedisi. Dëgjesa publike është thjesht çështje procesi në lidhje me një dosje për një firmë mes banorëve dhe saj”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai ka bërë me dije se pas konfliktit ai është rikthyer në zonë dhe ka takuar sërish banorët të cilët i kanë kërkuar dhe falje në lidhje me atë që kishte ndodhur.

“Aty u qëlluan disa burra të moshuar dhe unë pas konfliktit unë jam kthyer dhe i kam takuar banorët e fshatit të cilët më kanë kërkuar dhe falje në lidhje me atë incident që ndodhi këtë të premte me banorët në këtë zonë”, është shprehur ndër të tjera Tare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!