Dhoma e Përfaqësuesve ende pa kryetar të ri

schedule11:29 - 6 Janar, 2023

schedule 11:29 - 6 Janar, 2023

Lideri republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka dështuar sërish që të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

Një grup i krahut të djathtë në partinë e tij, nuk mundësoi as në përpjekjen e 11-të që McCarthy të zgjidhej kryetar, gjatë ditës së tretë të votimit.

Republikanët morën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve pas zgjedhjeve të mesmandatit të mbajtura në nëntor, por ky ngërç pamundëson që ligjvënësit të bëjnë betimin ose që Dhoma të miratojë projektligje.

Dhoma e Përfaqësuesve shtyu votimin për zgjedhjen e kryetarit për të premten.

Asnjë kandidat për kryetar të Dhomës nuk ka dështuar që të zgjidhet në rundin e parë që nga viti 1860, kur ligjvënësit kishin votuar në 44 runde për të zgjedhur kryetarin.

Por, tani një grup prej 20 ligjvënësish republikanë, të linjës së ashpër, po refuzojnë që t’i japin mbështetje McCarthyt për t’u zgjedhur. Atij i duhen 218 vota për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Ligjvënësit që po kundërshtojnë zgjedhjen e tij janë shprehur skeptikë ndaj qëllimeve të McCarthyt, pavarësisht se ai ka mbështetjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Një nga ligjvënësit që po e kundërshton zgjedhjen e tij, Ralph Norman nga Karolina e Jugut, i tha BBC-së se ai thjesht nuk i beson McCarthyt.

Kongresisti tha se ekipi i McCarthyt ka kërcënuar me hakmarrje politike ndaj tyre nëse ata nuk ofrojnë mbështetje për zgjedhjen e kryetarit, teksa palët kanë diskutuar për të tejkaluar mospajtimet për javë të tëra.

“Ne do të na heqin nga komitetet. Do të humbasim çdo privilegj që kemi pasur”, tha Norman.

Ligjvënësit sërish do të mblidhen të premten për të tentuar që të zgjedhin kryetarin e Dhomës.

McCarthy ka ofruar një sërë koncesionesh për ligjvënësit që po kundërshtojnë zgjedhjen e tij, përfshirë edhe një ulëse në një komitet me ndikim, ku vendoset se cili legjislacion do të debatohet në Dhomë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është personi i dytë për presidencën, pas nënpresidentes Kamala Harris. Ky person vendos agjendën e Dhomës dhe pa miratimin e tij ligjet nuk mund të kalojnë.

Në zgjedhjet e mesmandatit, republikanët fituan një shumicë të ngushtë në Dhomë 222-212, nga 435 ulëse. Ndërkaq, demokratët mbajtën kontrollin e Senatit./rel/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!