Dhoma Amerikane e Tregtisë publikon agjendën e investimeve: Rekomandimet për parlamentin e ri

schedule11:20 - 28 Qershor, 2021

schedule 11:20 - 28 Qershor, 2021

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri publikoi sot “Agjendën e Investimeve 2021”, një paketë me 40 rekomandime drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të ri me synim përmirësimin e shpejtë të klimës së biznesit.

Përmes një letre falënderimi, Presidenti i AmCham, Enio Jaço vlerësoi kontributin e lartë të anëtarëve, në evidentimin e sfidave që pengojnë mënyrën e të bërit biznes. Jaço kërkoi që anëtarët të vijojnë të përfshihen edhe në procesin e punës për kthimin e rekomandimeve në legjislacion konkret për Parlamentin e ri.

Agjenda e investimeve është rezultat i punës së 10 muajve të fundit, ku Dhoma Amerikane realizoi një seri anketimesh me anëtarët e saj, ndjekur nga analiza teknike ekspertësh, për përmirësimin e klimës së investimeve.

40 rekomandimet specifike në raport janë të organizuara në 8 themele përmirësimi të klimës së biznesit duke parashikuar sfidat, zgjidhjet dhe mundësitë e reja që krijohen.

Agjenda synon një strategji bashkëkohore për tërheqjen e suksesshme të investimeve të huaja, implementuar  nga nivelet më të larta në Qeveri.

Strategjia duhet të identifikojë sektorët prioritar dhe të krijojë iniciativa për zhvillimin e tyre, pa procedura burokratike.

Një qëndrim pa kompromis kundër korrupsionit me sanksione reale ndaj abuzuesve dhe monitorim transparent i llogaridhënies është me rëndësi për krijimin e besueshmërisë në publik. Rekomandimet synojnë krijimin e një sistemi transparent, efektiv dhe pa ndikim politik tek Prokurimet Publike si dhe garantimin e Konsultimit Publik efektiv, gjithëpërfshirës.

Rekomandimet synojnë rritje ekonomike duke adresuar elementë specifikë të ekonomisë.

Modernizimi i sistemit të taksave konsiderohet vital për rritjen e konkurrencës dhe formalizimin e investimeve rajonale.

Eksportet shqiptare përfaqësojnë mundësi të reja në periudhën post pandemike, e cila nxit domosdoshmërinë e zhvillimit të ekonomisë digjitale, ku Shqipëria duhet të krijojë kornizë bashkëkohore ligjore.

Krijimi i një sistemi dinamik ekonomik kërkon aftësi të reja në burime njerëzore për të cilat qeveria dhe sektori privat duhet të angazhohen së bashku në rritjen e shpejtë dhe të targetuar të aftësive të forcës punëtore.

Implementimi i këtyre rekomandimeve garanton ndërtimin e një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon. Dhoma Amerikane do jetë e gatshme të ofrojë asistencën e saj në kthimin e rekomandimeve ne legjislacion, ndërsa do të vijojë dialogun me të gjitha palët politike dhe institucionale me nisjen e Sesionit të ri Parlamentar./abcnews.al/