Marash Kumbulla nuk do të largohet nga Hellas Verona gjatë këtij muaji. Trajneri i skuadrës italiane, Ivan Juric, është pyetur pas ndeshjes me Genoa mbi të ardhmen e mbrojtësit të kombëtares shqiptare dhe ka theksuar se do të qëndrojë. Gjithashtu ai ka edhe një këshillë për 19-vjeçarin.
“Jemi të qetë, pasi këtë vit nuk shkon askund. Në të ardhmen le të shohim. Është një djalë që tani ka nizur të luajë dhe ka shumë mundësi që të përmirësohet edhe më shumë. Duhet të vazhdojë të jetë i qetë si tani. Marash është një person shumë serioz”, ka deklaruar Juric në Sky Sport.
KLUBET NË RADHË – Në takimin e djeshëm, që Hellas Verona e fitoi, kishte përfaqësues të shumë klubeve europiane që e panë nga afër Marash Kumbullën. Sky raporton se interes për të kanë edhe disa klube të mëdha jashtë Italisë.
Kështu, veç Juventus, Atalanta, Inter e Fiorentina, një sy tek ai mbrëmë e kanë pasur edhe Chelsea, Manchester United i lakuar më parë, Real Betis, Borussia Dortmund dhe Eintracht Frankfurt. /abcnews.al