Tjetër dëmtim për Douglas Costa. Braziliani i Juventusit ka hasur shumë probleme fizike këtë sezon. Në humbjen 2-1 të mbrëmjes së kaluar kundër Udineses, sulmuesi i djathtë u fut në fushën në minutën e 60-të.
29-vjeçari pësoi një tërheqje muskulore dhe e ka mbyllur kampionatin për këtë sezon. Bardhezinjtë, me anë të një komunikate zyrtare, lajmërojnë shkallën e dëmtimit të lojtarit. “Douglas Costa iu nënshtrua rezonancës magnetike, që konfirmoi një tërheqje të shkallës së dytë të muskujve të kofshës së djathtë“, shkruan klubi italian.
Lojtari do të mungojë rreth 15 ditë, duke humbur në këtë mënyrë ndeshjen e kthimit në raundin e 1/8 në Champions League kundër francezëve të Lyon (ka fituar 1-0 ndeshjen e parë në shtëpi), përballje që do të luhet në datë 7 gusht (21:00). /abcnews.al