Douglas Costa nuk e mbylli ndeshjen kundër Veronës. Braziliani ofensiv u detyrua t’i linte vendin uellsianit Ramsey në minutën e 72-të pas një tërheqje muskulore. 29-vjeçari ka kryer teste të detajuara gjatë ditës së sotme dhe është përcaktuar koha që do të qëndrojë jashtë fushave.
“Costa iu nënshtrua këtë mëngjes testeve diagnostikuese dhe u zbulua një dëmtim i shkallës së ulët të kofshës së majtë. Koha për shërimin e plotë të tij është rreth 15-20 ditë“, lexohet në komunikatën e Juventusit.
Anësori ofensiv do të mungojë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës ndaj Milanit, dy përballjet e radhës në kampionat me Brescia dhe Spal, si dhe ndeshjen e parë të Champions League kundër Lyon. Me 1 mars zhvillohet dueli i titullit ndaj Interit në Torino dhe Douglas Costa do të punojë fort për të qenë gati për këtë takim. /abcnews.al