Cafu ishte një futbollist unik. Braziliani vraponte pafund në korsinë e djathë dhe buzëqeshja e çamçakëzi nuk i mungonin kurrë. Së fundi ka provuar dhimbjen më të madhe që mund të ekzistojë, humbjen e në fëmije.
Danilo, djali i tij 30-vjeçar, humbi jetën para pak muajsh. Të dy luanin futboll me miqtë e tyre dhe ndeshja e fundit ishte fatale. 49-vjeçari ka thyer heshtjen në një prononcim të dhënë për Veja, aty ku i rikthehet edhe njëherë dramës së madhe.
“U nisëm për të luajtur një ndeshje dhe Danilo bënte pjesë në skuadrën time. Një moment doli nga ndeshja, ndërsa unë po luaja ende. Pas tre minutash vura re një konfuzion të madh. U bëra kurioz dhe gjeta djalin, që kishte konvulsione. Më kapi paniku, pasi e dija që kishte pasur edhe më parë probleme me zemrën.
U nisëm për spital dhe një doktor më thirri pas gjysmë ore. I thashë: ‘Nuk ka nevojë të më thuash asgjë’, ndërkohë që ai nuk po nxirrte asnjë fjalë nga goja. Po i lutesha Zotit të mos ma merrte djalin, por nuk ishte e mundur. I kishte ndodhur edhe më parë një problem i tillë, në moshën 24-vjeçare pësoi një infarkt. U ndje keq ndërkohë që po luanim.
U nisëm për spital dhe pas operacionit e mori veten. Besuam se ia hodhi dhe se gjithçka ishte nën kontroll… Varrosja e një fëmije është dhimbja më e madhe që mund të përjetojë një njeri. Çdo pesë ditë shkojë në varreza për të vizituar varrin e tij. Nuk e kam pranuar ende atë që ka ndodhur. Nuk e kam gjetur ende guximin për t’u futur në dhomën e tij“, përfundon rrëfimin e tij ish-fituesi i dy kupave të botës me Brazilin. /abcnews.al