Dhëndri kërcënoi se do të vetëvritej, fqinji flet për orët e tmerrit në familjen Bega: Dëgjuam të shtëna

schedule16:34 - 21 Shtator, 2020

schedule 16:34 - 21 Shtator, 2020

Të shtënën e parë e dëgjuan rreth orës 22.00 kohë që përkon me mbërritjen Elton Metës në shtëpinë e vjehrrit dhe kërcënimin e tij për vetëvrasje.

Duke menduar se vinte nga dasmat fqinjët tregojnë se e mësuan ngjarjen në mëngjes ndërsa e komentojnë si një situatë të tepër të vështirë për familjen Bega.

Një problem familjar që u ekspozua mediatikisht madje nën kërcënimin e armës ka bërë që anëtarët e familjes Bega të mbyllen në shtëpi.

Për 5 orë dhëndëri duke kundërshtuar divorcin kërcënoi se do të vetëvritej në oborrin e shtëpisë së tyre.

Elton Meta u ndalua të dielën në orën 3.20 minuta, më shumë se 5 orë pasi nisi të kërcënonte veten me kallashnikov. 31-vjeçari nga Peshtani kërcënoi se do të vetëvritej në oborrin e shtëpisë së prindërve të bashkëshortes. Kjo e fundit e kishte braktisur një javë më parë dhe bashkë me vajzën e mitur qëndronte të prindërit në Zhupan.

Në gjendje depresive 31-vjeçari shkoi në shtëpinë e vjehrrit dhe pasi nuk arriti të binde gruan të kthehej qëlloi 2 herë në ajër. Më pas e drejtoi armen nga vetja duke kërcënuar vetëvrasjen për 5 orë.

Me ndërhyrjen e ekipeve speciale dhe nëpërmjet motrës së tij, u dorëzua pa lënduar askënd. Situata ishte e rrezikshme jo vetëm për 31-vjeçarin, por edhe për familjarët, gruan dhe vajzën e tij të cilët qëndruan të kyçur në banesë.

Për këtë arsye në operacionin e shpëtimit u përfshinë edhe snajperistë, ndërhyrja e të cilëve do të kërkohej në rast të përshkallëzimit të situatës. 31-vjeçari akuzohet për kanosje, dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. /abcnews.al