Devolli: Ndikoi terreni, nuk më pëlqen reagimi i skuadrës kur pësojnë

schedule16:37 - 13 Mars, 2022

schedule 16:37 - 13 Mars, 2022

Dinamo doli e mposhtur nga stadiumi i Kamzës, ndërsa pësoi dy gola nga skuadra e Kukësit. Një humbje që shton “ankthet” e mbijetesës te blutë e kryeqytetit, të cilët e shikojnë veten të renditur në vendin e 7 në tabelën e klasifikimit.

Trajneri Bledar Devolli, pas ndeshjes theksoi se nuk është i kënaqur aspak me skuadrën e tij, pasi ajo nuk reagoi siç duhet në momentin e golit të parë.

Gjithashtu tekniku gjirokastrit nënvizoi se në Shqipëri, trajnerët janë me valixhe në duar edhe pse ai vetë beson se mund ta shpëtojë këtë sezon.

“Nuk kemi bërë një ndeshje të mirë, për meritë të kundërshtarit, por ndikoi edhe terreni. Na ndëshkuan edhe episode që i patëm kundra, kur shkonim në zonë nuk godisnim mirë. Ishte një hap mbrapa, jemi të gjithë të mërzitur. Drejtuesit, stafi, tifozët, lojtarët dhe me të drejtë. Nuk më pëlqen reagimi kur pësojnë”.

Koha e rikuperimit është e shkurtër dhe e radhës është ndeshja derbi me Tiranën, si dilet nga kjo situatë- “Me punë dhe duhet folur me lojtarët, me kokën poshtë sepse vetëm kështu mund të dalim nga kjo situatë. Do të vazhdojmë të bëjmë mirë dhe më pas vijnë edhe rezultatet, ta jep Zoti.

Reginaldo vjen nga dëmtimi dhe nuk është në formën më të mirë, ma kërkoi vetë edhe të qëndronte në stol. Denisson dhe Maliqi kanë bërë shumë ndeshje në këtë periudhë dhe duam t’i kemi të gjithë. Presim edhe Imamin të na kthehet, të kemi më pas mundësi zgjedhje edhe në varësi të kundërshtarit që kemi përballë.

Kemi ardhur nga ndeshja në ndeshje duke u rritur, nuk ishte një ndeshje e mirë sot pasi nuk na lejoi terreni, por edhe kundërshtari e episodet”.

Keni besimin e presidentit për të vazhduar? “Nuk flas për punët e brendshme, kam folur me presidentin. Unë nuk dorëzohem dhe kam besimin se do të marrim pikët dhe do të shpëtojmë sezonin. Trajnerët janë me valixhe në duar. Gjatë javës do të analizojmë ndeshjet dhe me punë mund të përmirësohemi dhe më pas vijnë rezultatet”, u shpreh Devolli. /f.a/abcnews.al