Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Devetë me pasaportë zyrtare/ Arabia Saudite ‘thyen rregullat’

schedule16:32 - 5 Shkurt, 2026

schedule 16:32 - 5 Shkurt, 2026

Arabia Saudite ka surprizuar opinionin publik me një nismë të pazakontë: lëshimin e pasaportave zyrtare për devetë. Autoritetet saudite bëjnë të ditur se kjo masë synon krijimin e një baze të dhënash gjithëpërfshirëse, e cila do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të tufave në të gjithë vendin.

Ministria e Mjedisit, Ujit dhe Bujqësisë deklaroi se iniciativa do të përmirësojë ndjeshëm produktivitetin e sektorit, duke garantuar një sistem të besueshëm identifikimi dhe kontrolli.

Sipas ministrisë, kjo bazë të dhënash do të shërbejë si referencë zyrtare për administrimin e devave në shkallë kombëtare.



Në një postim në rrjetet sociale, institucioni publikoi edhe imazhin e dokumentit: një pasaportë me ngjyrë jeshile, të pajisur me stemën e Arabisë Saudite dhe me figurën e një deveje të artë në kopertinë.

Sipas raportimeve të Al-Ekhbariya, pasaportat do të ndihmojnë në organizimin e shitblerjeve, do të lehtësojnë tregtinë dhe transportin e kafshëve, si dhe do të mbrojnë të drejtat e pronarëve përmes thjeshtimit të procedurave të vërtetimit të pronësisë.

Në vitin 2024, autoritetet saudite vlerësuan se në vend ndodheshin rreth 2.2 milionë deve. Këto kafshë kanë një rol historik dhe ekonomik të rëndësishëm, duke shërbyer për shekuj si mjet transporti dhe simbol prestigji për pronarët e tyre. Sot, devetë janë gjithashtu burim fitimi për mbarështuesit dhe pjesë kyçe e traditave kulturore.

Një nga aspektet më të veçanta është pjesëmarrja e tyre në konkurse bukurie, të cilat organizohen çdo vit gjatë festivaleve të mëdha. Në këto gara, pronarët investojnë shuma që arrijnë qindra mijëra dollarë.

Megjithatë, autoritetet janë përballur me një problem serioz: përdorimin e kirurgjisë estetike te devetë për të përmirësuar pamjen e tyre.

Pavarësisht ndalimeve dhe gjobave të rënda, praktika si ndërhyrjet në buzë apo formësimin e gungave vazhdojnë të ekzistojnë.

Me këtë nismë të re, Arabia Saudite synon jo vetëm modernizimin e sektorit, por edhe forcimin e kontrollit dhe transparencës në një industri që ndërthur traditën me interesat ekonomike.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!