Qeveria në Bosnjë parashikon një rritje masive të numrit të refugjatëve, që duan të mbërrijnë në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian. Ministri i Sigurisë në vend, kërkon që shtetet e BE-së të angazhohen për t’i bërë ballë situatës.
Sipas ministrit boshnjak të sigurisë, Dragan Mektiç, në pranverë do të ketë një “përshkallëzim të problemit të migracionit”. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP ai tha se, ndonëse numri i migrantëve ilegalë është ulur gjatë muajve të dimrit janar e shkurt me gjithsej 2300, me rritjen e temperaturave numri do të rritet sërish. Mektiç theksoi se kjo prek “jo vetëm Bosnjën por të gjithë itinerarin” nga kalojnë refugjatët. Vitin e kaluar mbërritën në Bosnje rreth 22.000 migrantë nga Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe Azia. Sipas ministrit vendi është i mbingarkuar me këtë problem.
Qëllimi i refugjatëve të mbetur në Bosnje është kufiri me vendin anëtar të BE-së, Kroacia. Sapo ata e kalojnë këtë kufi, mund të aplikojnë zyrtarisht për azil në BE. Shumica e refugjatëve duan që andej të shkojnë në Europën Perëndimore. Aktualisht në Greqi rreth 70.000 persona janë duke u përgatitur për udhëtimin e mëtejshëm përmes Ballkanit drejt BE-së, sipas ministrit Mektic. Këto shifra, sipas tij, kanë ardhur nga “institucione zyrtare europiane”. Por deri tani BE-ja po e injoron këtë problem.
Kryesisht në ishullin grek Samos gjendja është prej muajsh e tensionuar. Atje zyrtarisht ka vend për të strehuar 650 refugjatë, por faktikisht ndodhen rreth 4000 vetë të strehuar nëpër çadra e kontenierë. /abcnews.al