Detajet/ Biznesmeni dyshohet se u vra dy javë më parë, dëshmia kontradiktore e “mikut”, çfarë zbuluan kamerat

schedule15:33 - 6 Nëntor, 2021

schedule 15:33 - 6 Nëntor, 2021

Detaje të rënda janë zbuluar nga vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha i cili u gjet ditën e sotme në një humnerë në zonën e Qafë Mollës në Dajt.

Gazetari i ABC, Ermal Vija, raporton se trupi i viktimës është gjetur i mbuluar me zhavorr ndërkohë që ka qenë gjysmë i dekompozuar. Kjo vërteton se ai mund të jetë vrarë që në ditën e parë të zhdukjes së tij rreth dy javë më parë.

Lidhur me këtë ngjarje i arrestuar vijon të mbetet miku i viktimës, Fredi Rrushi i cili ishte edhe personi i fundit që ishte takuar me biznesmenin. Raportohet se policia ka zbuluar se ai ka dhënë deklarata të rremë në polici lidhur me rastin në fjalë. Ai fillimisht kishte deklaruar se biznesmenin Ruzhdi Hoxha e kishte lënë në zonën e njohur si “3-shi” në Tiranë dhe më pas nuk kishte pasur kontakte. Por nga gjurmimi që policia ka bërë, rezulton që makina e tij tip “Passat” është parë në zonën e Dajtit dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë. Kjo ka bërë që policia të dyshojë se biznesmeni mund të jetë vrarë në këtë zonë.

Lexo edhe: Policia jep detajet: Si e gjetën biznesmenin e vrarë në Dajt

Uniformat blu bëjnë me dije se si rezultat i kërkimeve ditën e djeshme në zonën e Dajtit kanë gjetur fillimisht një xhup të gjakosur që u vërtetua se i përkiste 43-vjeçarit.

Si rezultat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës, thotë policia, sot u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavorr e gurë trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhës.

Trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Lexo edhe: Plumb pas kokës, pastaj e hodhën në humnerë: Si e gjeti policia trupin e biznesmenit te zhdukur Ruzhdi Hoxha

Kujtojmë se Fredi Rrushi është arrestuar që në ditën e parë kur është marrë në pyetje për shkak se ishte shpallur në kërkim nga Italia për trafik droge. Po ashtu Fredi Rrushi në vitin 2018 rezulton të jetë arrestuar për plagosjen e një personi në Kamëz. /abcnews.al/