Detaje nga kërcënimi me bombë në Universitetin e Prishtinës, Policia: Ishte alarm i rremë

schedule21:32 - 17 Maj, 2022

schedule 21:32 - 17 Maj, 2022

Alarmi për bombë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, që erdhi përmes postës elektronike nga një burim ende i paidentifikuar, rezulton të ketë qenë i rrejshëm.

Policia e Kosovës ka dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes që shqetësoi UP-në.

Për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative për menaxhimin e mjeteve shpërthyese.

Megjithatë, ka konfirmuar ai për gazetën, alarmi del të jetë i rrejshëm.

Lexo edhe: Policia rrethon Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, kërcënim për sulm me bombë

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, ka konfirmuar ai për Gazetën Express.

Gazeta Demokracia ka publikuar edhe e-mailin kërcënues që vinte nga adresa [email protected], ku në gjuhën angleze thuhej “Bomba në Hasan Prishtina do të shpërthejë tani”. E-maili kërcënues kishte arritur në adresën [email protected] në ora 13:45.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti, për mediat ka folur shkurt lidhur me rastin.

Administrata (e Universitetit) e ka pranuar një e-mail anonim për një bombë, prandaj policia e kanë rrethuar objektin”, ka thënë ai. /GazetaExpress/