Dështon mbledhja e KLP për ngritjen e SPAK

schedule12:19 - 21 Tetor, 2019

schedule 12:19 - 21 Tetor, 2019

Edhe pse kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Ibrahimi kishte premtuar se në fund të muajit shtator do të ishin gati emrat përfundimtar për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ngritja e SPAK ka mbetur pezull. Mbledhja e sotme e KLP, ku do të diskutohej edhe për këtë çështje ka dështuar për shkak të debateve.

Dështon diskutimi për ngritjen e SPAK për shkak të debateve të ashpra në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e cila zgjati vetëm pak minuta. Debati është zhvilluar midis kreut të qeverisë së prokurorëve Gentian Ibrahimi dhe anëtarit Basnik Cani.

Ky i fundit ka kërkuar ndërprerje të seancës për arsyen se nuk është njohur me aktet që do diskutoheshin në mbledhje pasi materialet i kanë mbërritur të premten pas orarit zyrtar.  Anëtari i KLP-së Besnik Cani ka cituar edhe bazën ligjor ku thuhet se çdo antar i Këshillit duhet që të njihet me aktet e parashikuara për diskutim 7 ditë para se të zhvillohet mbledhja.

KLP në rendin e ditës kishte të parashikuara edhe diskutime për  ngritjen e Strukturës se Posaçme Antikorrupsion. Për SPAK, KLP ka 8 anëtarë të cilët kanë kaluar të gjitha hallkat e vettingut, dhe ndërkohë po diskutohet që do të komandohen edhe dy prokurorë të tjerë, pasi kushtetuta parashikon që SPAK duhet të ngrihet me të paktën 10 prokurorë.

Dy emrat më të lakuar që do të komandohen në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Këshilli në dy mbledhjet e fundit nuk ka përfshirë në axhendë  kërkesën e Drejtueses së Komanduar të Prokurorisë për Krime të Rënda Donika Prela, e cila kërkon transferim në Prokurorinë e Përgjithshme.

Të kontaktuar nga ABC Neës, KLP nuk jap një përgjigje se për çfarë arsyeje nuk shqyrtohet kërkesa e Prelës. Këshilli ka theksuar me të madhe që gara e prokurorit të përgjithshëm po mbahet peng nga Gjykata Administrative pasi nuk ka shqyrtuar ankimimin e  kandidatit të përjashtuar nga gara, avokati Lulëzim Alushaj.

Mbetet e paqartë akoma se kush po e pengon ngritje  e SPAK-ut. Gjykata Administrative e Apelit ka dështuar për të dytën herë për të shqyrtuar ankimimin e avokatit për arsye se nuk formohet trupa gjykuese.

Kreu i KLP-së Gentian Ibrahimi kishte premtuar në fund të Korrikut se në Shtator do kishim SPAK-un dhe renditjen përfundimtare të  kandidatëve për  Prokurorin e Përgjithshëm, por mesa duket edhe vjeshta do kalojnë pa rezultate konkrete./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!