Luan Rama nuk arriti që të fitonte mandatin e deputetit në Vlorë. Por pavarësisht dështimit, ai është rikthyer në qytetin bregdetar për të falënderuar ekipin e LSI-së me të cilin punoi gjatë fushatës elektorale, ndërsa akuzon pushtetin si makineri kriminale.
“Përsëri në Vlorë: Mirënjohje për angazhimin dhe punën me përkushtim. Përsëri në Vlorë, për të falenderuar me gjithë zemër dhe për t’ju shprehur mirënjohjen dhe respektin të gjithë koordinatorëve të LSI-së dhe shtabeve elektorale të saj që punuan me shumë pasion dhe përkushtim.
Pavarësisht rezultatit që nuk shpërbleu punën e bërë përballë makinerisë kriminale të pushtetit, ekipet e LSI-së të mbushura me djem dhe vajza të mrekullueshëm, ia dolën të fitojnë respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, çka është një motiv më shumë për të qenë të bashkuar dhe për t’u bërë zëdhënës dhe mbrojtës të interesit qytetar.
I detyruar përulësisht ndaj të gjithë veprimtarëve të LSI-së dhe qytetarëve të Vlorës, Sarandës, Himarës, Selenicës, Delvinës, Finiqit dhe Ksamilit, unë nuk do të resht së foluri për problemet e tyre, për të përligjur respektin dhe mbështetjen e me zemër që më dhanë” shkruan ai./ Abcnews.al