Dështimi në Afganistan, nuk duhet të shënojë fundin e mbështetjes për demokracinë

schedule14:15 - 3 Nëntor, 2021

schedule 14:15 - 3 Nëntor, 2021

Nga Thijs Berman “Politico.eu”

Muajt pas rënies së Afganistanit në duart e talebanëve, kanë qenë të mbushur me shumë reflektime dhe akuza, teksa politikanët, analistët dhe media kanë debatuar se çfarë shkoi
keq dhe kush duhet të fajësohet për këtë që ndodhi.

Megjithatë, duke dëgjuar disa nga ekspertët dhe analistët nga Evropa, jam i dëshpëruar kur dëgjoj një konstatim dëshpërues në mesin e shumë njerëzve, të cilët përsërisin frazën tipike patronazhiste se disa vende thjesht nuk janë “gati” për demokracinë.

Madje ata nxitojnë të arrijnë në përfundimin se dështimet në Afganistan, dëshmojnë pikërisht kufijtë e mbështetjes së demokracisë në pika të caktuara të globit. Nuk ka asnjë dyshim se dështimi i koalicioni të udhëhequr nga SHBA në Afganistan, nxori në pah shumë dështime të komunitetit ndërkombëtar.

Ai na ka detyruar që të rishqyrtojmë ne themel mënyrën se si duhet të ndërhyjmë në të ardhmen tek vendet që janë në vështirësi. E megjithatë, rezultati i kohëve të fundit në Afganistan, nuk do të thotë në asnjë mënyrë se Bashkimi Evropian apo qeveritë evropiane duhet të reduktojnë ambiciet e tyre kur bëhet fjalë për mbështetjen e kombeve të brishta
dhe demokracive në këto vende.

Një pjesë të këtyre zhgënjimeve unë i kuptoj shumë mirë. Kjo pasi kam pasur fatin të punoj krah për krah me kolegët afganë si kryetar i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Afganistan në vitet 2009 dhe 2014.

Gjatë asaj kohe, kam qenë dëshmitar i ëndrrave të afganëve të zakonshëm për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme demokratike, të cilët po tradhtoheshin nga një qeveri e korruptuar dhe nga fuqitë që po e mbështesnin këtë të fundit. Dhe kjo sepse rezultati i zgjedhjeve të kontestuara presidenciale u pranua përfundimisht nga komuniteti ndërkombëtar, pavarësisht manipulimit masiv të votave. Por të pretendosh se dështimi ynë i fundit, tregon se demokracia nuk mund të lulëzojë në disa vende, nuk është gjë tjetër veçse një tradhti tjetër ndaj të gjitha ëndrrave tashmë të shkatërruara.

Ky qëndrim është veçanërisht i pasinqertë, duke pasur parasysh faktin se ndërhyrja në Afganistan, nuk ka pasur në asnjë rast si synim kryesor ndërtimin e demokracisë. Ai ishte në radhë të parë një mision ushtarak, që synonte sigurinë dhe rindërtimin e këtij vendi. Nga ai mision ushtarak, doli një përzierje e qëllimeve të tjera të ndryshme, por në asnjë rast me ndonjë koherencë apo angazhim afatgjatë për ndërtimin e demokracisë. Mbështetja e dhënë për institucionet demokratike në Afganistan, ka qenë gjithmonë me “gjysmë zemre” dhe vazhdimisht e minuar nga pranimi i korrupsionit të shumë-përhapur.

Populli afgan e pa qartazi këtë mos-koherencë, dhe në fund shumë prej tyre u rikthyen tek talebanët. Duke ecur përpara, ne duhet të përcaktojmë në mënyrë shumë të qartë synimet e çdo lloj ndërhyrje, duke qenë transparentë në lidhje me to.

Është thelbësore që ne të krijojmë transparencë dhe qëndrueshmëri kur e bëjmë diçka të tillë. Misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së në shtetet e brishta, përqendrohen shpesh në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në procesin zgjedhor. Dhe këto janë synimet fillestare të nevojshme.

Por ato nuk duhet të ngatërrohen me ndërtimin e demokracisë, dhe pasi mbaron numërimi i votave duhet të ketë një plan se çfarë synohet më tej. Po ashtu është thelbësor kuptimi i kontekstit lokal, dhe kjo do të thotë të punosh me njerëz nga të gjitha nivelet e shoqërisë, dhe jo vetëm me elitat ekzistuese. Ne nuk mund ta imponojmë demokracinë nga jashtë, por mund ta ndihmojmë atë të lulëzojë,duke siguruar që ky proces të mbetet në duart e atyre që janë më të brishtët, dhe të mbështesim zhvillimin e aftësive dhe njohurive për një periudhë afatgjatë.

Kjo është ajo që ne u detyrohemi dhjetëra e mijëra afganëve që janë larguar tashmënga vendi, dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundësi të largohen dhe që çdo ditë jetojnë me frikë. Ne ua kemi borxh këtë miliona afganëve të cilët shkuan të votojnë në zgjedhje, të cilëve ne u premtuam se ato do të ishin të lira dhe të ndershme.

Ne u detyrohemi për këtë edhe atyre që rrezikuan jetën e tyre duke luftuar për të ndërtuar një të ardhme demokratike, në të cilën të drejtat e njeriut do të respektohen nga një qeveri e besueshme dhe e përgjegjshme. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me Afganistanin.

Ne vërejmë një tjetërsim të standarteve demokratike në shumë vende të tjera, madje edhe brenda kufijve të Bashkimit Evropian. Prandaj është thelbësore që të procedohet me politika konkrete dhe korniza kohore për të mbështetur demokracitë kudo.

BE duhet që të ushtrojnë presion për arritjen e këtij qëllimi në Samitin e ardhshëm Global për Demokracinë që pritet të organizohet në dhjetor nga presidenti i Shteteve të Bashkuara,
ku BE dhe qeveritë evropiane duhet të luajnë një rol qendror.

Nga reduktimi i nivelit të migrimit dhe kërcënimit nga ekstremizmi, deri tek lufta ndaj pabarazisë sociale, ka ende shumë stimuj për forcimin e angazhimit ndaj vlerave demokratike, pasi kjo është mënyra më e qëndrueshme për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në vendet që ndodhen në vështirësi.

Por deklaratat solemne nënkuptojnë po aq sa hapat që i pasojnë ato. Ajo që na duhet tani janë angazhime konkrete dhe të prekshme, të cilat janë të matshme. Vetëm atëherë do të jemi më në fund në gjendje të themi se e mbështesim vërtet demokracinë.

Shënim: Thijs Berman, është drejtor ekzekutiv i Institutit Holandez për Demokraci Shumëpartiake. Ai ka qenë deputet i Parlamenti Evropian në vitet 2004-2014, dhe kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në Afganistan në vitet 2009 dhe 2014. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!