Dështimi i May, BE: Largimi pa marrëveshje po bëhet realitet

schedule23:48 - 29 Mars, 2019

schedule 23:48 - 29 Mars, 2019

Pas këtij votimi, Bashkimi Europian ka deklaruar se largimi pa marrëveshje i Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni po bëhet realitet. Disa liderë europianë deklaruan se po përgatiten për një skenar të tillë.

Brukseli ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar se nuk do të pranojë marrëveshje të pjesshme për daljen nga BE-ja. Deklarata ka ardhur pasi parlamenti britanik rrëzoi për herë të tretë marrëveshjen e negociuar nga kryeministrja Mej për Breksit. Unioni ka deklaruar gjithashtu se, përfitimet që rrjedhin nga marrëveshja e arritur nëntorin e kaluar, përfshirë periudhën e tranzicionit, nuk do të aplikohen në rast se dalja e Britanisë do të bëhet pa marrëveshje. Lidhur me opsionin në fjalë, presidenti francez Emanuel Makron ka deklaruar se rreziku që ai të konkretizohet është rritur ndjeshëm pas votimit të së premtes. “Franca është e përgatitur për një dalje pa marrëveshje dhe do të përshpejtojë përgatitjet e saj për një skenar të tillë”, thuhet në një deklaratë për shtyp të pallatit presidencial francez. Edhe kryeministri holandez, Mark Rute ka deklaruar se pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve shanset për një skenar të tillë po bëhen realitet. “Një nga dy rrugët e daljes është mbyllur dhe kjo lë vetëm një rrugë”, ka deklaruar Rute. Si Franca edhe Holanda i kanë bërë thirrje Britanisë të sqarohet se çfarë kërkon përpara 12 prillit, data përtej së cilës kryeministrja Mej nuk do të ketë më kohë të kërkojë një shtyrje të Breksit. “Një zgjatje e procesit të daljes përtej kësaj date mund të garantohet vetëm nëse qëllimi është i qartë”, ka shtuar Rute, duke u bërë thirrje ligjvënësve britanikë për një këndvështrim më gjithëpërfshirës të opsioneve aktuale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!