“Dështim që s’kapërdihet”, pas Koresë së Veriut Trump kërcënon Kinën

schedule08:10 - 1 Mars, 2019

schedule 08:10 - 1 Mars, 2019

Pas dështimit me Korenë e Veriut, presidenti Donald Trump ka kërcënuar me braktisjen e bisedimeve tregtare me Kinën. Trump ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihet diçka funksionale brenda pak kohësh, pala amerikane do të tërhiqet nga negociatat.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të enjten se mund të tërhiqet nga bisedimet për një marrëveshje me Kinën, nëse ajo nuk do të jetë optimale. Deklarata e Trump erdhi pavarësisht se këshilltarët e tij ekonomikë folën më herët për një progres fantastik në bisedimet për t’i dhënë fund përplasjes me vendin aziatik. Shtetet e Bashkuara dhe Kina i kanë vendosur njëra-tjetrës tarifa qindra miliarda dollarëshe për mallrat përkatëse, duke tronditur tregjet financiare, manifakturën dhe shkaktuar tkurrjen e eksporteve të fermerëve amerikanë.

“Nuk kam kurrë frikë të largohem nga një marrëveshje dhe mund ta bëj një gjë të tillë edhe me Kinën nëse nuk arrihet diçka funksionale”, deklaroi Trump.

Ndryshe nga presidenti, këshilltari ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, Lerri Kudlou deklaroi po të enjten se progresi i arritur javën e kaluar me Pekinin kishte qenë fantastik.

“Po ecim drejt një marrëveshjeje historike”, tha ai.

Ende nuk dihet se çfarë ka ndikuar në humorin e Trump, por reagimi i tij vjen pas dështimit të samitit të Hanoit, ku ai nuk arriti dot një marrëveshje me liderin koreano-verior Kim Jong Un, pavarësisht lavdeve dhe fjalëve të mira për të. Dhe në fakt, mungesa e një akordi ka dhënë efektet e para. Ministri i Jashtëm koreanoverior deklaroi në fund të samitit se Peniani nuk do t’i vijojë bisedimet me Uashingtonin, edhe nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga Trump. Ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi se kreu i shtetit do të punojë për të ruajtur bisedimet me Korenë e Veriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!