Dëshmitari i parë i prokurorisë, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është një dëshmitar i mbrojtur i cili pretendon se i akuzuari e kishte mbajtur babain e tij në një fabrikë metali në Kukës si dhe kishte ushtruar dhunë ndaj tij.
Fillimisht dëshmitari ka thënë se, në maj të vitit 1998, disa persona kishin shkuar në shtëpinë e tij me kërkesën për dorëzimin e armëve.
Ai pretendon se në mesin e tyre ka qenë edhe Pjetër Shala. Këtë të fundit, ka thënë se nuk e kishte parë vet por e kishte mësuar nga babai dhe fqinjët.
Sipas tij, disa prej atyre personave ishin me uniformë që mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa të tjerë në rroba civile.
Ai ka thënë se babai i tij nuk ishte larguar atë ditë.
Tutje, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar, pasi prokurori pyeti dëshmitarin se çka i kishte thënë Pjetër Shala babit të tij në atë kohë.
Pas një pjese të mbyllur të seancës, dëshmitari ka thënë se babai i tij ishte kidnapuar dhe dërguar në Fabrikën e Metalit në Kukës.
Sipas dëshmitarit, ai ishte kthyer në shtëpi rreth dy javë më vonë.
Ai ka thënë se se gjatë mbajtjes në Kukës, babait të tij i ishte kërkuar të pranonte se kishte vrarë 100 persona.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se babai i tij ishte keqtrajtuar nga Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi.
“Faktikisht kur u përballë me babain tim në Kukës, ky i ka thënë të gjitha në sy babait tim, për një lokal që e kemi pasur para lufte, ushqimor, i ka thënë që unë e kam gjetur lokalin, unë kam qenë në shtëpi, pse nuk na prite kur erdhëm të ftuam me të marrë armët dhe ty. Dhe dhunën që e ka shkaktuar me gjithë shokët e tjerë në Kukës, një brutalitet çka është jashtë njerëzores”, ka thënë dëshmitari.
Ky është dëshmitar i parë i ZPS-së në gjykimin kundër Pjetër Shalës.
Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
/KosovaPress