Dëshmitari kundër Pjetër Shalës pretendon se është mbajtur mbyllur në një dhomë

schedule16:16 - 2 Maj, 2023

schedule 16:16 - 2 Maj, 2023

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se nuk ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se kishte lënë Kosovën në prill të vitit 1999 pas presioneve të paramilitarëve serbë. Në pyetjet e prokurorit të specializuar, ai ka pretenduar se ka qenë për më shumë se një muaj i mbyllur në një dhomë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dy orë e gjysmë kohë për të intervistuar këtë dëshmitar.

Prokurori i specializuar me fillimin e pyetjeve për dëshmitarin e mbrojtur ka kërkuar që seanca të jetë private. Më pas, dëshmitari që mban numrin 11 është pyetur se kur ishte larguar nga Kosova dhe në cilin vend kishte shkuar.

Prokurori i specializuar ka kërkuar që pyetjet që kanë të bëjnë me hollësitë e vendit ku ka qëndruar dëshmitari, të bëhen në seancë private.

Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, janë shfaqur dokumente, por të njëjtat nuk janë transmetuar për publikun. Dëshmitari ka pretenduar se pasi është futur në një veturë është dërguar në fabrikë.

Pyetjet më pas kanë vijuar në transmetim me përmbajtje të redaktuar.

Dëshmitarit të mbrojtur i është kujtuar deklarata që kishte dhënë se ‘pasi ishte dërguar në shtab, kishte qëndruar në një zyrë për 30 minuta’.

Prokurori e ka pyetur dëshmitarin nëse i është bërë ndonjë pyetje pasi ia morën lidhëset e këpucëve, por ai ka thënë se nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Dëshmitari që mban numrin 11 ka thënë se dhoma ku është mbajtur ka qenë në anën e majtë të portës.

Tutje, dëshmitari pretendoi se në ndërtesën njëkatëshe u mbajt për rreth një muaj.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij, është pyetur nga prokurori edhe se si dukej ajo dhomë.

Prokuroria ka vazhduar të shfaq fotografi të një ndërtese, për çka është pyetur dëshmitari nëse i kujtohet. Këto pamje nuk janë shfaqur për publikun.

Seanca me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë do të vazhdojë dhe pasdite. Pjetër Shala po e ndjek atë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

/KosovaPress/