Dëshmitari i tetë i ZPS-së: Në mesin e forcave serbe kishte edhe mercenarë rusë e rumunë

schedule13:50 - 14 Qershor, 2023

schedule 13:50 - 14 Qershor, 2023

Në seancën gjyqësore kundër katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka folur rreth  ofensivës të forcave serbe në zonën e Llapit përkatësisht në Kaçanoll dhe Bajçinë për të cilën tha se ishte një ndër betejat më të mëdha.

Sipas tij, në mesin e forcave serbe kishte edhe mercenarë rusë dhe rumunë dhe se këto forca ishin nën ndikimin e substancave narkotike.

Dëshmitari i tetë këto deklarata i bëri gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati, Endru Strong.

Mbrojtja e Veseli përmes paraqitjes së një harte të rajonit të Bajgorës , për çka tha se për shkak të tipareve dalluese Bajgora ishte e qasshme edhe për banorët nga Podujeva, Mitrovica, por edhe zona e Shalës.

Ndërsa, dëshmitari i tetë u shpreh se nga ana e Podujevës qasja në Bajgorë ishte më e vështirë pasi që rruga ishte e paasfaltuar, ndërsa nga Mitrovica qasja ka qenë më e lehtë për shkak të rrugës së asfaltuar.

Tutje i pyetur nga mbrojtja e Veselit për kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në Bajgorë, dëshmitari i tetë i ZPS-së tha se në atë zonë ka qëndruar 1 javë deri në 10 ditë.

Më pas Strong vazhdoi me pyetje për betejën në Kaçanoll dhe Bajgorë, për çka kërkoi të di se në këtë betejë a u mund Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga forcat serbe

Dëshmitari i tetë po ashtu tha se forcat serbe kishin dashur të futen përmes Bajçinës dhe Dobratinit për të arritur në Kaçanoll dhe se ai pretendon se këto fshatra nuk kanë qenë të mbrojtura nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Dëshmitari i tetë konfirmoi se pas ofensivës serbe si rekrut kishin detyrë të siguronin që civilët që po largoheshin të udhëzoheshin që në mënyrë të sigurt të drejtoheshin drejt Potokut.

Avokati i Veselit, Endru Strong më pas vazhdoi me pyetje rreth asaj se a konsideron dëshmitari se UÇK ishte shpartalluar në Kaçanoll e Bajgorë pas ofensivës me forcat serbe, më pas dëshmitari pohoi këtë.

Për betejën në Kaçanoll, avokati Strong vazhdoi të lexoj një komunikatë të UÇK-së në të cilën për këtë ofensivë shkruante se pas një luftimi të rreptë ku kishin mbetur të vrarë 100 ushtarë serbe dhe kishin detyruar tërheqjen e forcave serbe. E kur u pyet se a qëndron ky konstatim i kësaj komunikate, dëshmitari i ZPS-së konstatoi se kjo ishte e pasaktë, madje ai konsideron se komunikatat e UÇK-së janë propagandë

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit parashtroi disa pyetje edhe rreth një dokumenti tetë UNHCR-së gjatë periudhës së muajit shtator 1998 si dhe disa përshkrim të ngjarjeve nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovës të cilat më pas kërkoi që të pranohen edhe si prova materiale. Ndërsa, për këtë nuk pati kundërshti as nga trupi gjykues dhe as nga ZPS-ja.

E pas këtyre kundra-pyetjeve të mbrojtjes së Kadri Veselit, kundra-pyetjet të tjera nisi të parashtroi karshi dëshmitarit të tetë mbrojtja e Rexhep Selimit të cilët i parashtruan në seancë të mbyllur për publikun.

Gjatë ditës së sotme pyetjet e tyre për dëshmitarin e tetë të ZPS-së në gjykimin Thaçi dhe të tjerët i parashtroi edhe mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, të cilat u bënë në seancë të mbyllur për publikun.

Pyetjet i ka përfunduar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020./B.Ibishi/

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!