Karim Benzema ka shënuar 26 gola këtë sezon në të gjithë kompeticionet. Sulmuesi francez ka qenë ndër më të mirët te Real Madrid dhe ndihmoi ekipin e tij të fitonte titullin kampion në Spanjë.
Fokusi është përqendruar te sfida e kthimit kundër Manchester City në Champions League, teksa 32-vjeçari, në një rrëfim në YouTube, flet rreth vetes, duke mos e mohuar faktin që në të ardhmen mund ta shohim në stolin e Realit, ekip në të cilin luan prej vitit 2010.
“Nuk e di edhe për sa kohë do të luaj, por bëj gjithçka për ta mbajtur veten në formë. Gjithsesi, e kam të qartë që nuk jam në fillim të karrierës time. Golat apo asistet? Sigurisht që më pëlqen më shumë të shënoj gola. Por, nëse shoh se një shok skuadre ndodhet në pozicion më të mirë dhe mund të shënojë lehtësisht, ia pasoj topin me kënaqësi.
Penalltitë? Di ti godas mirë, por Sergio Ramos është më i aftë në këtë aspekt. E ardhmja? E pranoj që më ka shkuar në mendje të bëhem trajneri i Real Madrid një ditë. Pse jo?“, përfundon sulmuesi francez. /abcnews.al