Deschamps “ul” me këmbë në tokë “gjelat”: Danimarka është një ekip i nënvlerësuar

schedule12:25 - 25 Nëntor, 2022

schedule 12:25 - 25 Nëntor, 2022

Ditën e nesërme, në stadiumin “974” të Dohas, kampionët e Botës në fuqi, Franca, do të presë Danimarkën, në një ndeshje e cila pritet të jetë spektakolare.

Në prag të ndeshjes tekniku i “gjelave”, Didier Deschamps, foli në një konferencë për shtyp për të shpjeguar ndryshimet e mundshme të formacionit, ku u shpreh se synimi i tij është të sigurojë arritjen e një ndeshjeje perfekte.

“Mund të bëj gjithçka. Përveç golit, ndaj Australisë kemi gabuar në katër situata, ku duhet t’i menaxhonim më mirë situatat. Është në rregull që ndodhi vetëm kundër Australisë, por janë ende katër situata… Është e qartë se ka disa gjëra që mund t’i përmirësojmë çdo herë, edhe nëse kemi treguar shumë cilësi në sulm. Idealja për të gjitha skuadrat është të jesh i rrezikshëm dhe të mos pësojmë gol. Le të sigurohemi që t’i afrohemi ndeshjes perfekte. Më pas, nëse do të ndryshoj apo jo, do ta lë në dorën tuaj të debatoni.”,- u shpreh Deschamps në fjalën e tij.

Deschamps ka folur dhe rivalët direkt në grup, Danimarkën, ku i konsideroi ata si një ekip i nënvlerësuar, në krahasim me vlerën e tyre reale.

“Ata janë një ekip i nënvlerësuar në krahasim me vlerën e tyre reale. Na bënë të vuajmë shumë, nesër do të duhet ta kthejmë këtë prirje. Ne i njohim ata, ata na njohin, por ndeshjet e qershorit, shtatorit dhe asaj të nesërme janë të ndryshme nga njëra-tjetra për momentin që dy skuadrat po përjetojnë”,- tha në përfundim të fjalës së tij, tekniku 54-vjeçar. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!