Deschamps: Reja është trajner i madh, por nuk i trembem Shqipërisë

schedule22:39 - 6 Shtator, 2019

schedule 22:39 - 6 Shtator, 2019

Trajneri i kombëtares së Francës Didier Deschamps nuk i frikësohet duelit me kuqezinjtë ndërkohë që kapiteni i kampionëve të botës Hugo Lloris e konsideron të vështirë sfidën me Shqipërinë.

Trajneri i kombëtares franceze Didier Deschamps tha në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Shqipërinë se nuk i frikësohet kuqezinjve pavarësisht mungesave të shumta. Numri një i stolit të kampionëve të botës në fuqi nuk i kurseu lëvdatat për trajnerin Edi Reja.

“Shqipëria ka ndryshuar trajnerin dhe së bashku me të edhe sistemin e lojës. Edi Rejën e njoh mirë pasi ka drejtuar shumë skuadra në Itali. Mavraj është lideri i mbrojtjes së tyre. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi historia ka treguar se nuk e kemi pasur aspak të lehtë ndeshjet e fundit ndaj Shqipërisë. Duhet të gjejmë hapësirat e duhura dhe të shënojmë. Nuk jam i shqetësuar nga mungesat e shumta. Kam lojtarë të mrekullueshëm edhe në stol”, tha ai.

Kapiteni i Francës, Hugo Lloris theksoi se fatet e takimit do të varen nga përdorimi i topit ndërkohë që e konsideron delikate ndeshjen me Shqipërinë.

“Shqipëria do të na lerë shumë pak hapësira. Duhet të kontrollojmë lojën dhe të jemi agresiv. Ata janë një skuadër që lufton fort dhe janë të rrezikshëm në lojën në ajër. Jam përballur 5 herë me Shqipërinë dhe ka qenë gjithmonë e vështirë. Kanë ndërruar trajnerin dhe lojtarët luajnë në kampionate elitare. Do t’i studiojmë me video”.

Franca kryeson grupin H me 9 pikë në 4 takimet e para./ABC News Albania 24/7