Dermaku: Pozitive shtyrja e miqësores, Lituania na nervozoi. Lecce? Ja pse lëviza

schedule14:11 - 5 Tetor, 2020

schedule 14:11 - 5 Tetor, 2020

Kastriot Dermaku ishte një nga dy lojtarët e kombëtares që doli në konferencën për shtypin. “Gjiganti” i prapavijës foli rreth anulimit të miqësores me Armeninë, huazimit te Lecce dhe shkaqeve pse mori këtë vendim, dueleve të radhës në Nations League ndaj Kaakistanit (11 tetor) dhe Lituanisë (14 tetor) në transfertë, objektivave dhe gjërave që duhen përmirësuar.

ARMENIA – “Besoj që është lajm pozitiv, kemi më shumë kohë për t’u stërvitur me lojtarët e rinj. Situata në Armeni nuk është e mirë. Kemi më shumë kohë për stërvitje, kemi më shumë ditë për t’i futur lojtarët e rinj në grup”.

LECCE – “Jam i kënaqur, sepse, me siguri, do të aktivizohem më shumë. Kam bërë mirë, edhe pse kam pasur pak hapësira te Parma, por ishim 5 mbrojtës qendror. Zgjodha të kaloj te një ekip që më ka në projektin e vet, mendoj se do të luaj më shumë”.

KONKURRENCA – “Jemi të kënaqur, është konkurrencë pozitive. Jemi të gjithë lojtarë të fortë, konkurrenca vetëm përmirëson kombëtaren. Kush luan do të bëjë mirë, pasi jemi të gjithë lojtarë shumë të mirë në mbrojtje”.

MUNGESAT – “Momenti nuk është i mirë, edhe për shkak të Covid-19. Ka shumë probleme, por jam i bindur që lojtarët e rinj, të cilët luajtën shumë mirë me U21, do të bëjnë mirë. Me punë dhe pozitivitet, besoj se gjërat do të shkojnë mirë”.

LITUANIA – “Nuk jemi hiç të kënaqur për atë ndeshje. Fizikisht nuk ishim në top formë. Shpresoj të mos ndodhin më kështu ndeshje si ajo ndaj Lituanisë. Nuk jemi të kënaqur fare, jemi shumë nervoz”.

OBJEKTIVAT – “Duhet të japim maksimumin, duam të marrim sa më shumë pikë. Futemi në fushë jo për barazim. I kemi mundësitë për të fituar, ky është objektivi jonë. Do mundohemi t’i fitojmë ndeshjet në vijim. Është një grup kompetitiv, të gjithë kanë fituar dhe kanë humbur. Duam të marrim sa më shumë pikë në këto ndeshje, ka një rëndësi të madhe”.

GRUPI – “Duhet të përmirësohemi mentalisht, ndoshta duhet të jemi më të koncentruar. E kemi më të vështirë për momentin me ekipe më të dobëta. Por, jam i bindur që gjërat do të shkojnë më mirë. Na solli pozitivitet fitorja në Bjellorusi, por ishim më të lodhur fizikisht me Lituaninë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!