Në një lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”, Prof. Ass. Dr. Klodian Skrame, pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe meteorologia Rudina Zace, dhanë një panoramë të detajuar mbi situatën e motit dhe parashikimet për ditët në vijim. Shirat intensivë, dëbora në zonat malore dhe ulja e ndjeshme e temperaturave do të mbeten pjesë e realitetit të vendit për disa ditë të tjera.
Sipas meteorologes Zace, reshjet e shiut do të rikthehen, por do të jenë më të dobëta në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Fier, ndërsa në zona të tjera të vendit mund të shfaqen shtrëngata lokale. Në veri dhe lindje, mbi kuotën 700 metra, reshjet do të kthehen në dëborë, ndërsa në juglindje kjo pritet të ndodhë mbi 1000 metra lartësi.
Temperaturat do të mbeten të ulëta gjatë gjithë javës: në bregdet nga 9–15°C, në zonat e ulëta 7–13°C, ndërsa në ato malore do të luhaten nga 0 deri në 7°C.
Një tjetër efekt i motit të keq është shfaqur në Sarandë, ku banorët janë alarmuar nga ngjyra e turbullt e detit. Depozitime të ndryshme në ujë si pasojë e reshjeve të dendura kanë ndryshuar dukshëm pamjen karakteristike të bregdetit, i njohur për ujin Kristal, sqaruan dy ekspertët.
Nga reshjet e ditëve të fundit janë shënuar edhe dëmtime në disa akse rrugore. Segmenti Qukës–Qafë Plloçë dhe zona të Kurbinin janë prekur nga shembjet, ndërsa probleme raportohen edhe në aksin Kardhiq–Sarandë dhe në tunelin e Elbasanit. Prof. Skrame theksoi se reshjet e shumta e ngopin argjilën me ujë, duke shkaktuar rrëshqitje të shpatit të malit, ndërsa mungesa e studimeve të detajuara e thellon rrezikun. Në lidhje me kontrollin e situatës hidrologjike, në stacionin hidrometrik të Përmetit po funksionon një projekt inovativ i monitorimit të prurjeve të lumenjve në bashkëpunim me Universitetin e Trentos. Sistemi përdor radarë që matin nivelin e ujit dhe dërgojnë të dhëna në kohë reale në shërbimet meteorologjike.
“Nëse niveli i ujit tejkalon kufijtë e sigurisë, autoritetet duhet të marrin menjëherë masa,” u bë e ditur gjatë intervistës. Parashikimi i prurjeve arrin deri në 6–8 orë para, duke ndihmuar në paralajmërimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Në vijim, planifikohet instalimi i 20 stacioneve të reja në pika strategjike të lumenjve në vend.
Moti i keq pritet të vazhdojë, ndërsa ekspertët bëjnë apel për kujdes dhe informim të vazhdueshëm, veçanërisht në zonat më të rrezikuara nga reshjet dhe rrëshqitjet e dherave.
Deri kur do të zgjasë moti i keq? Ekspertët në ‘ABC e Mëngjesit’ japin paralajmërimet për javën në vijim
schedule14:40 - 24 Nëntor, 2025
schedule 14:40 - 24 Nëntor, 2025
