Stefano Sensi mezi po e pret derbin me Milanin. Përballja e zjarrtë luhet të dielën në mbrëmje (20:45) dhe mesfushori i Interit shpreson që të zbresë në fushë si titullar. Në një prononcim për Sportmediaset, 24-vjeçari flet për Christian Eriksen, beson fort se zikaltrit do të shpallen kampionë Italie dhe e mbyll me një koment për interesimin e Barcelonës, ekipi për të cilin bën tifozllëk që i vogël.
“Jam shumë i karikuar, dua të jem në derbi me çdo mënyrë. Nuk ka rëndësi renditja në këto lloj ndeshjesh, dëshira për fitore vlen mbi gjithçka. Eriksen? Kampionati italian ndryshon me atë anglez. Eriksen ka kohë për të kuptuar lëvizjet tona, por është një lojtar i madh dhe do të na ndihmojë.
Jemi një grup shumë i mirë dhe mund të fitojmë titullin. Do të japim gjithçka për t’ia dalë. Interesimi i Barcelonës? Më bën krenar krahasimi me Iniestën dhe interesimi i Barcelonës. Gjithsesi, jam i përqendruar totalisht tek Interi”, përfundon mesfushori italian. /abcnews.al