Liverpool e rinis Premier League me derbin kundër Everton. Djemtë e Jurgen Klopp do të luajnë në fushën e skuadrës së Carlo Ancelotti ditën e diel (20:00). “The Reds” janë dy fitore larg shpalljes kampion, por diçka e tillë mund të ndodhë që këtë fundjavë nëse mposhtet Evertoni dhe City nuk fiton ndaj Burnley.
Klopp shfaqet entuziast në një prononcim për sajtin zyrtar të Liverpool. Trajneri paralajmëron ekipin se çfarë i pret, vlerëson rivalin e tij Ancelotti dhe tregon mënyrën se si fitohet derbi i zjarrtë, që këtë radhë do të luhet pa praninë e publikut.
“Entuziazmi i lojtarëve ndihet lehtësisht. Është diçka e bukur që po kthehet Premier League, pavarësisht se ka akoma probleme shëndetësore në Angli dhe në mbarë botën. Ne jemi të gatshëm të luajmë, por duhet të jemi gati edhe për çfarë mund të ndodhë. E sigurt që do të ketë probleme.
Lodhje, lëndime lojtarësh dhe kështu gjërash. Mendoj se do të jetë shumë emocionuese ndeshja me Everton. Kur e analizon sfidën kundër tyre, duhen marrë parasysh ndeshjet e Napolit apo të skuadrave të tjera që ka stërvitur Ancelotti.
Carlo injekton stilin e tij te skuadrat ku punon dhe ka eksperiencë për të bërë mirë kudo që punon. Gjithsesi, Evertoni do të luajë nëse Liverpooli e lejon ta bëjë diçka të tillë. Duhet të gjejmë pikat e tyre të dobëta dhe t’i godasim aty. Duhet të shfaqemi të uritur para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes“, thekson trajneri gjerman i “The Reds”. /abcnews.al