Portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, ka folur disa ditë para derbit të Madoninnës. 22-vjeçari në një intervistë për “Sky Sport Italia”, flet për ndeshjen kundër Interit si dhe vlerëson maksimalisht Zlatan Ibrahimovic. Në fund ai pyetet edhe për të ardhmen e tij, por nuk preferon të japë asnjë indikacion.
“Ka kaluar një kohë e gjatë që kur kemi parë një derbi në këto pozicione që janë sot Milan e Inter. Të gjithë jemi entuziastë dhe të vetëdijshëm se duhet të luajmë një lojë të shkëlqyeshme për të marrë tre pikët”, deklaron italiani.
“Unë kam mbyllur sytë dhe kam ëndërruar sikur të jetë pikërisht Ibrahimovic që ta vendosë derbin. Suedezi është një kampion i vërtetë, kurrë nuk dorëzohet dhe i ndihmon që të gjithë. Ai është i parë që vjen në stërvitje dhe i fundit që largohet.
Padyshim që është një shembull për të gjithë. Rinovimi? Po jetoj i qetë këtë periudhë, ashtu siç kam jetuar më parë këtu në Milano. Po stërvitem në 100% tim dhe po jap gjithçka për këtë fanellë”, përfundon Donnarumma, i cili ende nuk po rinovon me kuqezinjtë. /abcnews.al